Stresi: Xhaxhin Shemsi e kemi mik familjar, akuzat për drogë janë për shkak të djalit të tij që po përndiqet prej 13 vitesh nga një polic i Kosovës - Insajderi
×
  • Showbiz
  • Show

    Stresi: Xhaxhin Shemsi e kemi mik familjar, akuzat për drogë janë për shkak të djalit të tij që po përndiqet prej 13 vitesh nga një polic i Kosovës

    Insajderi
    05 June 2025 - 17:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një aksion i madh anti-drogë i koduar me emrin “Qielli i Thyer” është zhvilluar të martën në disa lokacione në Prishtinë dhe më gjerë, me ç’rast janë arrestuar 22 persona. Operacioni është ndërmarrë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, shkruan Insajderi.

    Në mesin e të arrestuarve ndodhen edhe Shemsi Bahtiri dhe djali i tij, Brilant Bahtiri, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në veprimtari të ndërlidhura me narkotikë dhe komunikim përmes aplikacioneve të enkriptuara.

    Pas arrestimeve, ka reaguar publikisht reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili ka deklaruar se ka lidhje të afërta familjare me familjen Bahtiri dhe ka dalë në mbrojtje të tyre.

    “Në radhë të parë, ne njihemi familjarisht me familjen Bahtiri. Nana e baba shkojnë për gëzime familjare, për gjithçka. Na shokoi ai lajm sepse ne e njohim xhaxhin Shemsi çfarë njeriu është,” deklaroi për emisionin “Kosova Today”, përcjell Insajderi.

    Stresi shtoi se akuzat ndaj Shemsi Bahtirit janë të pabazuara dhe kanë të bëjnë me djalin e tij, Brilantin.

    “Krejt çka janë qato akuza ndaj zotnisë janë krejt shkaku i djalit të vet. Edhe nëse Shemsi Bahtiri ka pasur sikur thirret akuza Sky e… e çka janë këta telefonat e enkriptuar apo krejt çka ju kanë ngrit xhaxhit Shemsi – vallahi bëjë burgun unë për të nëse ka një gabim,” ka thënë Stresi.

    Ai ka bërë akuza edhe ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës, duke pretenduar se ekziston një konflikt personal me Brilant Bahtirin që zgjat prej më shumë se një dekade.

    “Unë ju garantoj se këtu është një polic i anti-drogës që e ka 13 vjet që është me Brilantin në konflikt. Ka 13 vite që djalin e përndjekin, mundohen gjithqysh me e kap,” deklaroi ai.

    Sipas tij, gjatë bastisjeve të kryera në gjashtë lokacione, nuk është gjetur asnjë dëshmi që do të mbështeste akuzat ndaj Shemsi Bahtirit.

    “Kur kanë shku me bastis shtëpinë e xhaxhit Shemsi, kanë pyet ku është djali. Kanë bastisur 6 lokacione dhe nuk kanë gjetë sen. Edhe akuza që iu është ngrit është që i ka thënë djali ‘hajde merri qeto pare’, se e ka djalë me nimu familjen e vet,” u shpreh ai.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 të arrestuarve lidhur me rastin e drogës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark