
Kryeministri Mustafa, priti në takim ministrin gjerman të Shtetit për Evropë, Michael Roth dhe sekretarin francez të Shtetit për Çështje të Evropës, Harlem Desir.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin konkret në zhvillimin ekonomik, për proceset integruese evropiane dhe reformat tjera në fuqizimin e shtetit, njofton Zyra për informim e Kryeministrisë.
Kryeministri Mustafa theksoi punën e madhe që po bëhet në implementimin e MSA-së, me përkrahje të gjerë, si dhe për rëndësinë që ka për Kosovën liberalizimi i vizave.
“Ne i kemi përmbushur kriteret dhe tani presim vendimin politik të BE-së. Kosovarët kanë mbetur qytetarët e vetëm të rajonit që nuk mund të lëvizin të lirë, që është e padrejtë”, tha kryeministri.
Duke falënderuar për kontributin e madh të Gjermanisë dhe të Francës për Kosovën në të gjitha fazat e deritashme, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahje të mëtejshme të tyre në rrugën integruese evropiane, zhvillimin ekonomik dhe proceset e tjera.
Ministri gjerman i Shtetit për Evropë, Michael Roth, vlerësoi progresin në Kosovë duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Gjermanisë.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera që lidhen me Kosovën, për zhvillimet politike dhe dialogun me shtetet fqinje.