Me 5 qershor, kanë dalë para trupit gjykues Bujar Basha, Leutrim Cakolli, Trim Baraku, Besart Istrefi dhe Korab Gashi, në lidhje me grabitjen e argjendarisë më 22 nëntor të vitit 2023. Pas leximit të aktakuzës, të pandehurit nuk e pranuan fajin për grabitje, ndërsa Besart Istrefi dhe Trim Baraku e pranuan fajin për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Pasi të pandehurit Istrefi dhe Baraku pranuan fajësinë për armëmbajtje pa leje, prokurori kërkoi që kjo deklaratë të pranohet nga gjykata.
Për këtë, gjykata deklaroi se pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurve Baraku dhe Istrefi është bërë në mënyrë vullnetare dhe, për rrjedhojë, u pranua.
Por, çka thuhet në aktakuzën ndaj të dyshuarve?
Sipas aktakuzës, Korab Gashi, Bujar Basha dhe Besart Istref , kanë kryer grabitje në lokalin Argjendaria “Diakos 2, duke përdorur forcën. Por, që përgatitjet për të kryer grabitjen kishin filluar 7 ditë më herët me 15.11.2023, kishin blerë vetura të paregjistruara.
“Korab Gashi, Bujar Basha dhe Besart Istrefi më datë 22.11.2023 në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, në rrugën “Brigada 123″, saktësisht në lokalin Argjendaria “Diakos 2“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë i, me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që prej datës 15.11.2023 fillojnë përgatitjet për kryerjen e grabitjes duke blerë automjete të paregjistruara”, thuhet aty.
Ndërsa në ditën e grabitjes me vete kishin marrë armë. Korab Gashi, Bujar Basha dhe Besart Istrefi të shoqëruar me të ndjerin Dukagjin Gashi,kanë pasur të vendosura maska në fytyrë dhe kanë qenë të armatosur.
“Me vete kishin edhe armë dhe me të arritur në afërsi të argjendarisë “Dia Kos2” e pikërisht në rrugën ku gjendet kjo argjendari, e ndalojnë automjetin dhe nga automjeti dalin të pandehurit Korab Gashi, Bujar Basha dhe Besart Istrefi të shoqëruar me të ndjerin Dukagjin Gashi, që të gjithë të pandehurit kanë pasur të vendosura maska në fytyrë dhe kanë qenë të armatosur”.
Ndërsa, Besart Istrefi me një pistoletë me shurdhues në njërën dorë dhe sëpatë në dorën tjetër.
Aty jepen edhe detaje se si ishin organizuar grupi.
Bujar Basha, kishte pritur jashtë me armë, ndërsa Besart Istrefi ia drejton armën të dëmtuarit dhe ia kidh duart
“I pandehuri Besart Istrefi me një pistoletë me shurdhues në njërën dorë dhe sëpatë në dorën tjetër, i pandehuri Korab Gashi me një pistoletë në dorë dhe Dukagjin Gashi me një pistoletë në dorë hyjnë në brendësi të lokalit “Dia Kos2” derisa i pandehuri Bujar Basha i armatosur me një armë AK-47, pret jashtë objektit në rrugë, kështu i pandehuri Besart Istrefi e kapërcen banakun e argjendarisë duke ia drejtuar armën të dëmtuarit Arbër Bytyqi dhe të njëjtin në dhomën e pasme të argjendarisë e neutralizon duke ia lidhur duart e duke e mbajtur gjithmonë nën kërcënim të armës”.
Pastaj Korab Gashi së bashku me Dukagjin Gashin fillojnë t’i thyejnë vitrinat ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit me shpejtësi të madhe e mbushin një thes të bardhë e gjatë thyerjes së vitrinave i pandehuri Korab Gashi e lëndon dorën dhe ashtu të maskuar dhe me armë në duar dalin nga lokali, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës ku ishte duke i pritur i pandehuri Bujar Basha i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike.
Prehun e grabitur sipas aktakuzës e kishin dorëzuar në lokalin e Trim Barakut për ta fshehur.
“Që të katërt hipin në veturën e markës “Chevrolet Cruze” ngjyrë hiri me targa “01-895-NN”, dhe largohen nga aty në drejtim të rrugës “Avdyl Rama” për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Komunës së Ferizajt, ku dalin nga automjeti, stolitë e grabitura i heqin nga kutitë, kutitë i gjuajnë së bashku me rrobat të cilat i kanë përdorur gjatë grabitjes, i marrin stolitë me vete, hipin në dy automjete të tjera edhe atë në automjetin “VW Touran” dhe “Golf 7” nisen në drejtim të Prishtinës dhe me të arritur aty automjeti “Golf 7” ndalet në afërsi të argjendarisë “Baraku” dhe prehun e grabitur e dorëzojnë në lokalin e Trim Barakut për ta fshehur dhe pastaj për ta larguar nga aty, me ç’rast nga lokali “Dia Kos2” marrin stoli ari në sasi prej 3 kilogram e 71 gram, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit Tahir Bytyqi në vlerë prej 133,711.34 euro”, thuhet në aktakuzë.
I pandehuri Leotrim Cakolli, prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023 e deri në momentin e arrestimit me datën 30.11.2023 me dashje ndihmon të pandehurit Bujar Basha, Besart Istrefi, Korab Gashi dhe Dukagjin Gashi për kryerjen e veprës penale të grabitjes, ashtu që i jep premtim paraprak se do ti fshehë provat e kryerjes së veprës penale.
Gjendja faktike e përshkruar në dispozitiv të kësaj aktakuze, është vërtetuar nga provat personale dhe materiale të mbledhura gjatë hetimit, si Raportet e shikimit të vendeve të ngjarjes, raportet e zyrtarëve policor, ekzaminimet e kryera nga AKF, videoincizimet e marra nga vendi i ngjarjes, provat fizike të mbledhura nga vendi i ngjarjes, dëshmitë e të dëmtuarve dhe të dëshmitarëve si dhe nga provat tjera materiale të prezantuara në vijim. penale për të cilën akuzohen.
Kujtojmë se në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, kishte mbetur i plagosur një polic, ndërsa, një tjetër ishte lënduar gjatë aksionit.
Grabitësit ishin mirë të përgatitur, andaj për të nisur të shtënat nuk pritën as hapjen e derës së veturës nga ana e zyrtarëve policorë.
Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.