
Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar Naser Rracin dhe Leutrim Musliun, të cilët akuzoheshin për sulm fizik ndaj biznesmenit istogas, Ylber Blakaj.
Siç ka marrë vesh Gazeta Insajderi, pas marrëveshjes për pranim të fajësisë me Prokurorinë, Rraci është dënuar me një vit e dy muaj burgim.
Ndërkaq Musliu është dënuar me gjashtë muaj burgim.
Insajderi raportoi se Musliu ishte në mesin e nëntë të akuzuarit për planifikim të sulmeve terroriste ndaj lojtarëve të Kombëtares Izraelite të futbollit, në ndeshjen Shqipëri – Izrael e zhvilluar në nëntor të 2016.
Gazeta Insajderi kishte raportuar edhe për dosjen kriminale të dy të dënuarve.
Leutrim Musliu më 21 tetor të 2016-ës është marrë në polici si i dyshuar nga organet e rendit për veprat penale si vijojnë: kryerja e veprës terroriste, fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Pos tjerash, ai është cilësuar i dyshuar në të njëjtën datë edhe për shitje të paautorizuar të armëve dhe mbajtje në pronësi të tyre.
Edhe më 2017-ën, Musliu është shoqëruar në stacion për përgatitje të veprave terroriste dhe cenim të rendit kushtetues.
Në anën tjetër, Naser Raci, i cili më vonë ka ndryshuar emrin në Luan Ibrahimi, ka një dosje të trashë kriminale.
Ai më 2005-ën është arrestuar për veprat penale, si: mosmarrëveshje në familje, posedim ilegal i armëve, prishje të rendit publik dhe falsifikim dokumentesh.
Ndërkaq më 2007-ën ai arrestohet si i dyshuar për vrasje dhe ndërmjetësim të arratisjes së të burgosurve.
Raci arrestohet edhe për vepra të tjera penale përgjatë viteve, si: kërcënim, rrezikim të trafikut publik, deklarim të rremë, trafikim me njerëz, kryerje të shërbimeve seksuale të viktimës së trafikimit, kanosje, lëndim të rëndë trupor dhe organizim të skemave piramidale.
Këtë vit ai është arrestuar dhe nën hetime për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve. /Insajderi.org/