Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi të hënën del para gjykatës në Beograd, reagon MPJD - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale që u ndalua në Serbi të hënën del para gjykatës në Beograd, reagon MPJD

    Insajderi
    08 June 2025 - 22:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

    Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

    Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.

    Menjëherë pas marrjes së informacionit për ndalimin, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka dorëzuar një kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

    “Kërkesa ka pasur për qëllim konfirmimin e ndalimit, ofrimin e sqarimeve mbi bazën ligjore të tij, si dhe informimin mbi vendndodhjen dhe gjendjen aktuale të z. Spahiu”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së MPJD-së, Qendresa Fazliu.

    Spahiu po mbahet aktualisht në Qendrën e Paraburgimit në Kanjizha, në rajonin e Vojvodinës.

    Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëshorten e tij dhe po ndjek nga afër zhvillimet.

    Ai pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake më 9 qershor, në ora 09:00, në Gjykatën Komunale të Kikindës.

    MPJD ka njoftuar gjithashtu se ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me ndalimin, dhe se do të vazhdojë të ndjekë rastin përmes kanaleve diplomatike, duke mbajtur të informuara institucionet relevante dhe partnerët ndërkombëtarë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark