
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjatë javës do t’ua prezantojë subjekteve politike një agjendë 15 pikëshe, si platformë bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit.
Abdixhiku këtë e ka bërë të ditur me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, ku ka thënë se uniteti s’është luks por domosdoshmëri, shkruan Insajderi.
“Prandaj, gjatë kësaj jave, do të shkojë dhe një hap tutje. Pas finalizimit të konsultimeve të brendshme, do të dal me një Agjendë 15 pikëshe – një platformë konkrete bashkëpunimi për Qeverinë e Unitetit, të cilën do t’ua ofroj të gjitha partive politike, pa përjashtim”, ka thënë ndër të tjera Abdixhiku.
“Vazhdoj ta përsëris thirrjen time drejt liderëve të VV-së, PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s që t’i kthehen propozimit tim për një Qeveri të Unitetit. Ta vlerësojnë me kujdes”, ka thënë më tej ai.
Tutje Abdixhiku është shprehur skeptik për seancën e 28-të për konstituimin e Kuvendit, e cila do të mbahet nesër (e hënë). /Insajderi.org/