
Inspektorati Shëndetësor nuk e ka gjetur në vendin e punës radiologun Jeton Shatri në Klinikën e Radiologjisë në QKUK. Ndaj Shatrit është iniciuar procedurë disiplinore, por Komisioni ende nuk është mbledhur.
Inspektorati Shëndetësor më datën 7 prill të këtij viti zbarkoi në Klinikën e Radiologjisë në QKUK për inspektim me temë respektimin e vijueshmërisë në punë.
Gjatë këtij inspektimi janë verifikuar evidencat e hyrje-daljeve të stafit të kësaj klinike, nën shoqërimin e drejtoreshës Shkëndije Nuza. Gjatë inspektimit, në vendin e punës nuk është gjetur radiologut Jeton Shatri, cili njëherit është edhe kandidat për drejtor të kësaj klinike në konkursin e fundit i cili ka kaluar fazën e testimit me shkrim.
“Në kohën e inspektimit prezent ishin stafi profesional, përveç Dr. Jeton Shatri që nuk ishte prezent në vendin e punës dhe as nuk ishte nënshkruar në listën e vijueshmërisë. Drejtoresha pohoi se nuk kishte informacion se pse nuk ishte në orar të punës dhe nuk kishte marr ndonjë informatë nga Dr. Jeton Shatri për mungesën e tij”, thuhet në raportin e ISh-së të cilin e posedon Gazeta Shneta.
Për këtë arsye ISh ka rekomanduar QKUK-në që të mirren masa ndaj Shatrit për mos respektimin e orarit të punës.
Lidhur me këtë rast, Shatri është proceduar në Komisionin Disiplinor nga drejtoresha Nuza, por deri më tani nuk është mbajtur mbledhja e Komisionit ndonëse edhe pak ditë bëhen dy muaj nga ky rast.
Për këtë çështje Gazeta ka kërkuar sqarime nga SHSKUK dhe QKUK, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkaq vet Shatri ka thënë se ka arsye për mungesën në punë atë ditë por nuk ka treguar detaje. Ai ka pohuar ndryshe nga raporti i ISh-së, se eprorët e tij kanë qenë të njoftuar.
“Në lidhje me pyetjen tuaj për procedurën e ngritur pranë Komisionit Disiplinor të QKUK-së, dëshiroj t’ju informoj se më datë [7 maj], kam dorëzuar një deklaratë me shkrim prane QKUK-se, ku kam paraqitur arsyet e vonesës time në punë për ditën në fjalë. Gjithashtu, vija hierarkike e institucionit ka qenë e informuar me kohë për këtë çështje. Për të mos ndikuar në punën e Komisionit, dëshiroj të jem i kujdesshëm me deklarimet e mia publike rreth kësaj procedure”, ka deklaruar Shatri.
Shatri është edhe profesor asistent në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Ai ka kandiduar për drejtor të Klinikës së Radiologjisë ku ka kaluar testin me shkrim me 54.66 pikë. Krahas tij kandidatë janë edhe kandidatët, Gani Morina me 52.4 dhe Bujar Imeri 50.8 pikë.
Kjo nuk është hera e parë që në këtë klinikë mungojnë specialistët në vendin e punës. Vitin e kaluar edhe Arben Kutllovci nuk ishte gjetur në vendin e punës por ndaj tij nuk ishin marr masa nga Komisioni Disiplinor pasi ai ishte arysetuar se ka qenë i sëmurë.