Osmani ka gati draftin për Kushtetuese lidhur me zhbllokimin e Kuvendit - fton sërish liderët e partive në takim për zgjedhjet lokale - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani ka gati draftin për Kushtetuese lidhur me zhbllokimin e Kuvendit – fton sërish liderët e partive në takim për zgjedhjet lokale

    Insajderi
    10 June 2025 - 12:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas takimit të parë konsultativ të mbajtur më 15 maj 2025, Presidentja e Kosovës ka ftuar liderët e partive politike në një takim të dytë, kësaj radhe për të diskutuar organizimin e zgjedhjeve lokale.

    Kështu ka konfirmuar për Insajderin, këshilltari i saj, Bekim Kupina i cili shtoi se ajo ka përsëritur ftesën që, nëse partitë kanë interes për konsultime shtesë rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e gatshme të zhvillojë takime individuale me secilin lider partiak.

    “Gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre”, tha ai duke shtuar se ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike.

    Ndërkohë, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka bërë të ditur për Insajderin se ekipi ligjor i Presidencës ka përgatitur një draft të lëndës që potencialisht mund t’i adresohet Kushtetueses.

    “Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, ekipi ligjor Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese, mirëpo jemi në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pranueshmërisë së kërkesës së dërguar nga AAK-ja, sepse kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja”, tha ai.

    Kupina ka potencuar se nuk bëhet fjalë për përmbajtjen apo meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale – pra, për pranueshmërinë e saj në Gjykatë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark