
Të paktën 10 persona, përfshirë autorin e krimit, janë vrarë pas një sulmi me armë në një shkollë të mesme në Graz, një nga qytetet më të mëdha të Austrisë.
Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner deklaroi se vrasësi ishte një ish-nxënës që nuk e mbaroi shkollën.
“Çdo gjë tjetër është ende spekulim”, tha zyrtari austriak, raporton skynews.
“Ishte një ish-nxënës, por ai nuk e kishte mbaruar shkollën”, shtoi ai.
Drejtori i policisë së shtetit, Gerald Ortner thotë se policia nuk kishte asnjë informacion paraprak për personin e armatosur.
Ai i zotëronte të dy armët në mënyrë legale. I pyetur se çfarë lloj armësh janë përdorur, Ortner thotë se kjo është pjesë e hetimit.
Ndryshe, nxënës dhe të rritur janë midis 10 personave që kanë vdekur në këtë sulm nga i cili njoftohet se kanë mbetur 28 persona të plagosur.
Sipas mediave të huaja, autori i cili ka kryer vetëvrasje pas sulmit, ishte një 21-vjeçar nga zona e Grazit.
Zyrtarët kanë bërë të ditur se edhe 12 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa hetimet për motivin e ngjarjes vijojnë ende.
Kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur një periudhë zie kombëtare tre-ditore që nis nesër, me një minutë heshtje në orën 10:00, në nder të viktimave të masakrës.