
Veza si mjet protestimi nuk është risi në skenën politike kosovare. Lëvizja Vetëvendosje e kishte praktikuar disa herë përgjatë kohës sa ishte në opozitë. Por, kur u praktikua kësaj radhe në Skenderaj nga qytetarë të thjeshtë, e pësuan policët që ishin prezentë. Ata u suspenduan për shkak të kinse mosveprimit.
Policia e Kosovës njoftoi se ka suspenduar tre zyrtarë policorë në periudhë prej 72-orësh për mos-reagim gjatë kohës sa u sulmua me vezë eskorta e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në Skenderaj, shkruan Insajderi.
“Sot, me datë 10.06.2025 në ndërlidhje me rastin e Prishjes së Rendit dhe Qetësisë Publike ( PRQP) ndaj eskortës se Kryeministrit gjatë vizitës në Skenderaj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jug ka ndërmarrë disa veprime dhe në koordinim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës ( IPK) ka marrë vendimin për suspendimin e tre (3) zyrtarëve policor të Stacionit Policor Skenderaj në kohëzgjatje prej 72 orësh“, thuhet në njoftimin e policisë, ku kanë lënë hapësirë për hetime të mëtejshme për zyrtarë të tjerë policorë.
U bë e ditur se njëri nga ta ishte polic reagues, e dy të tjerë policë.
Megjithatë, në qeverisjet e mëhershme veza si mjet proteste ishte më se i normalizuar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ndodhnin suspendime të zyrtarëve policorë. Madje, kur e realizonin sulmin me vezë, dilnin me komunikata dhe e arsyetonin përdorimin e produktit të pulës për qëllime të dhunshme.
Një rast është ai i sulmit ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit. Pas sulmit, Lëvizja Vetëvendosje me anë të një komunikate kishin thënë se Kuçi po e sjellte “Zajednicën” dhe po e rrënonte sistemin e drejtësisë.
“Nuk mund të ketë rehati për një pushtet që e ka sjellë vendin në një gjendje të mjerë. Nuk mund të rrimë duarkryq përballë kërcënimit për ndarje etnike të vendit tonë dhe përballë faljes së territoreve të Kosovës. Nuk mund të bëhemi indiferent karshi sistemit të kapur të drejtësisë, i cili përndjekë deputetët opozitar ndërsa bashkëpunon me krimin e me korrupsionin. Hajredin Kuçi e drejton Ministrinë e Drejtësisë. Ai përveç që është ministër në një qeveri që po na e sjell ‘Zajednicën’ dhe po i fal territoret, është përgjegjës kryesor për sistemin e rrënuar të drejtësisë Kosovare. Subjektet opozitare janë të vendosura dhe nuk do t’i ndalin aksionet e tyre pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi”, thuhej në komunikatë ku arsyetohej veprimi i dhunshëm.
Vetëvendosje kishte sulmuar me vezë edhe ish-zv.ministrin e Pushtetit Lokal, Bajram Gecajn, nën pretendimin se po ushtrohej dhunë nëpër stacione policore ndaj aktivistëve të tyre.
“Dhuna dhe brutaliteti policor ndaj aktivistëve nëpër stacionet policore, nuk do të na ndalë në asnjë moment. Do t’ua bëjmë jetën të parehatshme, politikanëve të zhytur në luks, që po e shkatërrojnë shtetin dhe shoqërinë tonë”, thuhej atëbotë në komunikatat e VV’së.
Me vezë sulmohej edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në shtator të 2015-ës dhe në tetor të po atij viti. Krejt kjo, në emër të mbrojtjes së Kosovës.
Edhe në vitin 2021 Kurti ishte sulmuar me vezë në Skenderaj, mirëpo që vizitën e realizonte me Njësitin Special të Policisë së Kosovës. /Insajderi.org/