
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka reaguar ashpër pas sulmeve ajrore izraelite gjatë natës, të cilat kanë shënjestruar objekte bërthamore në Iran dhe kanë vrarë disa komandantë ushtarakë.
Në një deklaratë publike, Khamenei tha se Izraeli “duhet të presë një ndëshkim të ashpër” për veprimin që ai e cilësoi si krim të rëndë ndaj shtetit iranian, raporton BBc, përcjell Insajderi.
“Izraeli ka kryer një krim në vendin tonë të dashur sot,” u shpreh ai. “Forcat tona ushtarake nuk do ta lënë këtë akt pa përgjigje. Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur e të dhimbshëm, të cilin do ta përjetojë patjetër.”
Në përgjigje të sulmit izraelit, Irani ka lëshuar rreth 100 dronë drejt Izraelit, sipas informacioneve të konfirmuara nga Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF).
Tensionet në Lindjen e Mesme po arrijnë nivele alarmante, ndërsa pritet që përshkallëzimi i konfliktit të vazhdojë në orët dhe ditët në vijim.