Kush ishte Hossein Salami – komandanti i Gardës Revolucionare që u vra sot nga forcat izraelite? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Kush ishte Hossein Salami – komandanti i Gardës Revolucionare që u vra sot nga forcat izraelite?

    Insajderi
    13 June 2025 - 09:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vra gjatë sulmeve ajrore të ndërmarra nga Izraeli në orët e para të së premtes, duke u bërë figura më e lartë ushtarake iraniane që humb jetën në këtë ofensivë dramatike.

    Salami, 65 vjeç, ishte i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj kundërshtarëve të Iranit, sidomos Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

    Vetëm muajin e kaluar, ai kishte paralajmëruar se Teherani do të “hapte portat e ferrit” në rast se do të sulmohej nga ndonjë prej këtyre vendeve.

    Sulmet izraelite, të cilat kanë shkaktuar alarm ndërkombëtar, u përqendruan në objektiva strategjike iraniane, përfshirë objekte bërthamore, fabrika të raketave balistike dhe figura kyçe të komandës ushtarake. Kjo ndodhi përkundër paralajmërimeve nga presidenti amerikan Donald Trump që Izraeli të mos rrezikojë negociatat për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, raporton BBC, përcjell Insajderi.

    Përveç Salamit, në sulm u vranë edhe Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura iraniane, Gholamali Rashid, zëvendës-komandanti i forcave të armatosura, si dhe disa shkencëtarë bërthamorë.

    Vetëm një ditë para sulmeve, Salami kishte deklaruar se Irani ishte “plotësisht i gatshëm për çdo skenar, situatë apo rrethanë”. Ai kishte ironizuar qasjen e armikut, duke thënë: “Armiku mendon se mund të luftojë Iranin siç lufton palestinezët e pambrojtur nën rrethim. Por ne jemi të kalitur në luftë dhe me përvojë.”

    Karriera ushtarake e Salamit nisi në vitin 1980 gjatë luftës Iran-Irak, kur ai iu bashkua Gardës Revolucionare. Ai u emërua zëvendës-komandant në vitin 2009 dhe më pas komandant i përgjithshëm në vitin 2019. Që nga vitet 2000, ai ishte subjekt i sanksioneve nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e tij në programet ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

    I njohur për retorikën e tij të fortë, Salami kishte deklaruar dikur se Irani ishte “në prag të shndërrimit në një fuqi botërore”.

    Vdekja e tij konsiderohet një humbje e madhe për regjimin iranian dhe një moment potencialisht shpërthyes për gjithë rajonin, që tashmë ndodhet në një fazë kritike të përshkallëzimit ushtarak.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark