
Më 26 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të hapë afatin për aplikim të subjekteve politike që kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për RTK-në se është paraparë një afat prej 49 ditësh për dorëzimin e kërkesave për certifikim nga subjektet politike.
“Duke filluar nga 26 qershor deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, kërkesën për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetarë dhe kuvende komunale,” sqaroi Elezi.
Ai theksoi se për dallim nga të tjerët, partitë politike të regjistruara janë automatikisht të certifikuara, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Gjatë këtij afati, subjektet duhet të dorëzojnë edhe listat me emrat e kandidatëve për komunat ku synojnë të garojnë.
Për sa i përket kandidimit të personave të dënuar, Elezi theksoi se kjo rregullohet në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. “Sipas këtij neni, nuk mund të kandidojë një person që është dënuar gjatë tre viteve të fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë, me një ose më shumë vjet burgim efektiv,” deklaroi ai.
KQZ do të kërkojë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) verifikimin e listës së kandidatëve për të siguruar përputhshmërinë me këtë kufizim ligjor.