
Është publikuar raporti i Auditimit mbi pasqyrat financiare të partive politike. Në mesin e raporteve gjendet edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, i përbërë nga pasqyra e pozitës financiare deri më 31 dhjetor të vitit që lëmë pas, shkruan Insajderi.
Në raportin e auditimit janë evidentuar disa parregullsi lidhur me menaxhimin financiar të subjektit politik. Sipas auditorit, në disa raste të shpenzimeve mungon dokumentacioni i rregullt mbështetës – në vend të tij, Vetëvendosje ka paraqitur vetëm kupona fiskal, pa dokumente të tjera që do të arsyetonin shpenzimet e realizuara.
“Gjatë auditimit tonë ne kemi konstatuar që për disa raste të blerjeve të shpenzimeve SP ka pranuar vetëm kupona fiskal dhe nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, që do të mund të arsyetonin dhe mbështesnin shpenzimet e ndodhura, gjithashtu është vërejtur se ka raste kur faturat e shpenzimeve nuk janë të lëshuara në emër të subjektit politik, por në emër të anëtarëve apo menaxhmentit. Kjo praktikë bie ndesh me kërkesat ligjore dhe rregullative në fuqi, të cilat kërkojnë që shpenzimet e subjektit politik të jenë të dokumentuara me fatura të rregullta dhe të lëshuara në emër të vetë subjektit” thuhet në raport.
Në përgjithësi, auditorët vlerësues te LVV-ja kanë gjetur mungesë të dokumentacionit të rregullt në disa raste të shpenzimeve dhe mosdeponim të të hyrave nga anëtarësimet në llogarinë bankare.
Gjatë vitit 2024, LVV-ja deklaroi të hyra me vlerë 2 milion e 337,168.74 euro, dhe shpenzime me vlerë prej 1 milion e 805,296,56 euro.
Për dallim nga viti 2023, kur LVV-ja deklaroi toka, objekte dhe pajisje në vlerë prej 121 mijë e 779 euro e 56 centë, vlera e tyre për vitin 2024, sipas deklarimit, është 130 mijë e 436 euro e 32 centë.
Në total, pasuritë afatshkurtra dhe afatgjata të LVV-së, gjithnjë sipas vlerësimit të auditorit deri më 31 dhjetor 2024, kanë vlerë prej 2,014,711.90 eurosh.
Partia ka deklaruar detyrime afatgjata në vlerë mbi 130 mijë e 436 euro e 32 centë, dhe detyrime afatshkurtra në vlerë prej 31 mijë e 384 eurosh.