"Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku" - Peci i reagon Abdixhikut pasi e quajti të paedukatë Gërvallën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku” – Peci i reagon Abdixhikut pasi e quajti të paedukatë Gërvallën

    Insajderi
    20 June 2025 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkudhëheqësi i Guxo-s dhe ministri në detyrë, Faton Peci, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pasi ky i fundit, një ditë më parë, kishte aluduar se Donika Gërvalla është “e paedukatë dhe me mungesë të theksuar të inteligjencës”.

    Reagimi i Pecit ka ardhur në mbrojtje të bashkëpartiakes së tij, me të cilën ndan udhëheqjen e subjektit politik Guxo, si dhe pozitën në Qeveri.

    “Është jo vetëm e pakuptueshme dhe irituese, por edhe e tmerrshme të dëgjojmë Lumir Abdixhikun duke e cilësuar Donika Gërvallën si ‘e paedukatë’. Lumir, përgjegjës për edukimin e një personi është familja. E nëse i thua Donikës ‘e paedukatë’, atëherë e ke fyer heroin e Kosovës, Jusuf Gërvallën, heroinën Suzanën që rriti tre fëmijë shembullorë, dhe Nanën Ajshe – shtyllën e kësaj familjeje dhe institucion të qenies shqiptare. A je në vete çka po fyen, Lumir?!” – shkroi Peci në Facebook.

    Më tej, ai vazhdoi me një deklaratë të ngarkuar me emocione, duke përmendur figura të rëndësishme të historisë shqiptare dhe lidhjen e Donika Gërvallës me to:

    “Në mbijetesën e shqiptarit të gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe në frymëzimin për liri e pavarësi, rolin kryesor e kanë pasur: familja e fortë shqiptare, rënia frymëzuese e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, lëvizja historike e Ibrahim Rugovës dhe flijimi i familjes Jashari. Në të gjitha këto, Donika jonë është e lidhur pashkëputshëm: me gjak, me vizion, me aktivitet dhe me respekt sublim. Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku?!”

    Reagimi vjen pas kritikave të Abdixhikut ndaj Gërvallës, që u bë në kuadër të përplasjes politike mes VV-së dhe LDK-së, me akuzat e ndërsjella për afrim të mundshëm të opozitës me PDK-në dhe Listën Serbe.

    “Besoj që figura të tilla, përveç që janë të paedukatë në shumicën e rasteve, kanë edhe mungesë shumë të theksuar të inteligjencës, sepse s’kanë kuptim çka flasin”, deklaronte Abdixhiku./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark