Nëpërmjet një kumtese për media, Policia e Kosova ka njoftuar se ka ndërmarrë hetime për të zbuluar identitetin dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm për kryerjen e vrasjes së mbrëmshme.
Policia ka njoftuar, po ashtu, se “ka zgjeruar rrethin e hetimit duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”.
“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është cilësuar si vrasje dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në kumtesën e Policisë.
Bazuar në njoftimin e Policisë së Kosovës mbrëmë është vrarë 37 vjeçari B.C në fshatin Korreticë e lartë në Drenas. Trupi i pajetë është gjetur në afërsi të shkollës.
“Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipi mjekësor , të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, thuhet në kumtesën e Policisë së Kosovës.
Gazeta Expres ka raportuar se i vrari ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.