Skandal: Apeli e lë të lirë policin që rrahu brutalisht qytetarin në Prizren- Insajderi sjell pamje ekskluzive të momentit të arrestimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Skandal: Apeli e lë të lirë policin që rrahu brutalisht qytetarin në Prizren- Insajderi sjell pamje ekskluzive të momentit të arrestimit

    Insajderi
    24 June 2025 - 18:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e lënë të lirë që të mbrohet në liri zyrtarin policor në suspendim, Remzi Pulajn, pas sulmit brutal që ia kishte bërë qytetarit S.F. në momentin e arrestimit.

    Në aktvendimin të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, pretendohet se aktvendimi i Themelores nuk ka vlerësuar si të plotë gjendjen faktike të ngjarjes kur ka caktuar masën e paraburgimit ndaj policit Remzi Pulajt.

    Apeli ka aprovuar ankesat e avokatit Blerim Mazreku të policit Pulaj, i cili ka pretenduar se i dyshuari nuk mund të pengojë rrjedhjen e procesit gjyqësor e as nuk mund ta përsëris veprën penale meqë ka shprehur keqardhje për rastin.

    Po ashtu, Apeli ia ka trajtuar veprën si “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare”, e jo si “lëndim i rëndë trupor” sikurse përshkruhej në kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit.

    Caktimi i masës së paraburgimit nga shkalla e parë e gjykatës, sipas Apelit, nuk është përputhur me gjendjen faktike dhe s’është vendim i drejtë.

    Megjithatë, ndryshe dëshmojnë pamjet të cilat ka arritur t’i sigurojë Gazeta Insajderi, që tregojnë dhunën e përdorur nga zyrtari policor në fjalë ndaj qytetarit në momentin e arrestimit:

    Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte treguar se si kishte tentuar të fshihej si rast. Fillimisht, sipas raportimeve zyrtare, polici Pulaj pretendonte se ishte qytetari ai që kishte provokuar incidentin. Megjithatë, hetimet e mëvonshme zbulonin të kundërtën.

    Kryeziu kishte bërë të ditur se viktima ka marrë lëndime të rënda trupore dhe se sjellja e zyrtarit policor ishte e papranueshme, pavarësisht funksionit të tij.

    “Ndërkohë, në bashkëpunim me hetuesit e IPK-së, kemi autorizuar mbledhjen e informatave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe të dëmtuarit. Ajo që është më e rëndësishme, kemi siguruar prova që vërtetojnë të kundërtën e asaj që ishte raportuar fillimisht,” u shpreh Kryeziu.

    “Zyrtari e ka goditur në fytyrë dhe ai ka pësuar lëndime të rënda trupore. Kjo për ne është e papranueshme, pavarësisht se bëhet fjalë për një zyrtar të ligjit,” tha kryeprokurori.

    Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të siguruar, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 14 qershor 2025 rreth orës 21:35 në orën 21:35 në Prizren, tek një kafene, i dyshuari Remzi Pulaj si zyrtar policor, duke keqpërdorur autorizimet e tij, e ka keqtrajtuar personin tjetër, derisa ishte me një zyrtar tjetër policor gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

    Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit S.F., i kanë shqiptuar gjobë të kundërvajtjes për shkak të parkimit të palejuar të veturës të cilën ia kanë vendosur tek xhami i veturës, e në ato momente ka dalë i dëmtuari i cili ka qenë brenda kafenesë, duke e hedhur gjobën e kundërvajtjes në tokë. Pas kësaj, thuhet se zyrtari policor Remzi Pulaj së bashku me kolegun e tij, duke e parë gjobën e hedhur, të dëmtuarit i kanë dhënë urdhër verbal që t’i prezantojë dokumentet e identifikimit, mirëpo ai nuk i është bindur urdhrit të tyre.

    Me këtë, thuhet se zyrtarët policorë kishin filluar ta arrestojnë të dëmtuarin, mirëpo ai përsëri nuk ka lejuar ta arrestojnë dhe se gjatë përpjekjes për ta arrestuar, në një moment i pandehuri të dëmtuarit ia ka vënë këmbën, ndërsa kolegu i tij me të dëmtuarin ishin rrëzuar në tokë, duke rënë mbi të dëmtuarin dhe aty në pozitën e shtrirë përtokë e në tentim për ta vënë nën kontroll, i pandehuri të dëmtuarin disa herë e ka goditur me grushte në kokë, tek syri dhe pjesën e veshit të majtë.

    Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas Prokurorisë, me datë, kohë dhe vend si në pikën e parë të këtij dispozitivi, i pandehuri i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore personit tjetër, në atë mënyrë që i pandehuri Remzi Pulaj të dëmtuarin S.F., disa herë e ka goditur me grushte në kokë, sy dhe pjesën e veshit të majtë. Si pasojë, të dëmtuarit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark