Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar shkelje në një procedurë të prokurimit nga Komuna e Vushtrrisë, nën udhëheqjen e kryetarit Ferit Idrizi. Sipas ZKA’së në një tender me vlerë mbi 62 mijë euro, specifikimet teknike ishin të favorizuara duke eliminuar konkurrencën. Insajderi sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Një gjetje e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin e kaluar hedh dritë mbi një rast të favorizimit të operatorëve ekonomikë në Komunën e Vushtrrisë, udhëhequr nga kryetari Ferit Idrizi.
Sipas raportit, në procedurën e prokurimit me titull “Blerje furnizim dhe montimi i kaldas me qiler në QMF-1” në vlerë 62,062€, janë përfshirë specifikime teknike që kanë rezultuar të jenë favorizuese, duke eliminuar në mënyrë efektive konkurrencën dhe duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë në tender.
“Në procedurën e prokurimit “Blerje furnizim dhe montimi i kalldas me qiler në QMF-1″ në vlerë 62,062€, komuna me rastin e përcaktimit të specifikave në dosjen e tenderit, tek pjesa B, pozicioni 1, ishin përdorur marka tregtare apo emra të prodhuesit MECO për ventilatorët-konvektorëve, pa përdorur edhe termin të ngjashëm, duke përdorur kritere favorizuese të cilat kishin eliminuar konkurrencën”, thuhet në raport.
Ligji për prokurimin publik e ndalon qartësisht hartimin e specifikimeve teknike që favorizojnë apo diskriminojnë operatorë të caktuar. Përkundër kësaj, autoriteti kontraktues, në këtë rast komuna kishte lejuar përpilimin e kritereve që qartazi e drejtonin tenderin drejt një operatori të vetëm.
ZKA vëren se këto shkelje kanë ndodhur për shkak të kontrollit të dobët nga njësitë kërkuese dhe zyra e prokurimit në përpilimin e specifikimeve teknike.

Ndikimi i këtij rasti është që shkakton trajtim jo të barabartë apo diskriminimin e operatorëve ekonimik dhe dëmton konkurrencën. .
ZKA ka rekomanduar që kryetari i komunës, Ferit Idrizi, të forcojë kontrollin mbi përpilimin e specifikimeve teknike dhe të sigurojë që zyra e prokurimit të veprojë në përputhje me ligjin, duke shmangur çdo kriter që favorizon operatorë të caktuar.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Vushtrrisë, duke kërkuar shpjegim rreth kësaj gjetje, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje.