
Pas polemikave të ditëve të fundit që kanë pasuar deklaratat e tij për organizatën joqeveritare serbe “Matica Albanaca Srbije – MAS” dhe implikimet e saj të mundshme me shërbimet sekrete serbe, Bedri Elezi ka dhënë një sqarim publik, duke theksuar se qëndrimet e tij nuk kanë pasur si synim komunitetet fetare shqiptare.
Në reagimin e tij, Elezi thotë se shqetësimet e ngritura nga ai janë të lidhura drejtpërdrejt me aktivitetet e “Matica Albanaca Srbije – MAS” dhe bashkëpunimin e kësaj organizate me strukturat shtetërore serbe, dhe jo me bashkësitë fetare në Kosovë apo shqiptarët në përgjithësi.
“Disa përfaqësues të komuniteteve fetare e kanë ndjerë veten të goditur nga deklaratat e mia. Dua të theksoj se qëndrimet e mia nuk janë kundër tyre, por ndaj veprimtarive që kam identifikuar si të rrezikshme për sigurinë kombëtare”, ka shkruar ai.
Lidhur me Bashkësinë Islame të Kosovës, Elezi ka ngritur çështjen e mungesës së transparencës në lidhje me therjen e kurbanëve, veçanërisht nëse nuk është përfshirë ndonjë kompani e jashtme në këtë proces.
Ai ka inkurajuar BIK-un që të bëjë publike të gjitha të dhënat për mënyrën e prokurimit dhe realizimit të kurbanëve, në mënyrë që të shmanget çdo dyshim apo keqkuptim që, sipas tij, mund të shfrytëzohet nga faktorë të jashtëm me interesa të dëmshme për Kosovën.
“Nëse ndonjë individ i lidhur me BIK-un ka pasur shkollim apo lidhje në Serbi, nuk do të thotë se është i përfshirë në ndonjë veprimtari të dyshimtë, por kjo meriton diskutim të hapur kur lidhet me çështjet e sigurisë”, shton Elezi.
Ai përmbyll reagimin duke theksuar nevojën për bashkëpunim të të gjithë faktorëve institucionalë, përfshirë udhëheqësit fetarë, në luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit dhe ndikimit të shërbimeve të huaja si Shërbimi Sekret Ushtarak Serb (VBA).
“Çdo bashkëpunim me ‘Matica-n’ duhet të konsiderohet si veprim i papranueshëm dhe kundër interesave të shqiptarëve”, shkroi Elezi.