
Sot është mbajtur takimi i partive politike me ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Pas takimit, përfaqësuesit e partive politike shqiptare kanë dalë në konferencë për media.
Kurti, gjatë deklarimit të tij, iu drejtua gazetarëve duke thënë: “Ma gjeni një shtet tjetër në Evropë ku partia e parë është më e madhe se sa e dyta dhe e treta bashkë.”
Njëra nga gazetaret i është përgjigjur menjëherë: “Shqipëria.”
Por, përveç Shqipërisë, edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi është e njëjta situatë. Pra, Kurtit nuk i duhej të shkonte shumë larg për të gjetur një shembull të tillë, pasi të tillë ka në rajon.
Në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VMRO-DPMNE ka 58 ulëse (44.58%), ndërsa LSDM ka 18 ulëse (15.78%) dhe Fronti Evropian 18 ulëse (14.06%).
Po ashtu edhe në Serbi, Lista e Partisë Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiç ka fituar 46.6% të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke siguruar 129 deputetë nga 250 sa ka parlamenti serb.