Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër: Të adresohen sfida shumë më urgjente - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër: Të adresohen sfida shumë më urgjente

    Insajderi
    01 July 2025 - 16:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nga Shkupi sot do të shkojë drejt në Mitrovicë për hedhjen e gurthemeleve të dy urave paralele me atë të urës kryesore mbi Ibër. Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje. Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë se “potencialisht” mund të ketë përshkallëzim në veri të vendit. Gjermanët i sugjerojnë Kurtit që burimet publike t’i riorientojnë në sfida shumë më urgjente.

    Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.

    “Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha Christian Böttcher, zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane.

    Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.

    “Riorientimi i burimeve publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane.

    Ajo i kërkoi Qeverisë së Kosovës, që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të riorganizojë buxhetin e saj rreth këtyre objektivave të kahershme, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në këtë drejtim.

    “Një ndryshim i tillë do të sillte përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, do të përforconte stabilitetin dhe do të hapte rrugën për prosperitet të qëndrueshëm. Gjermania vazhdon të jetë e gatshme të ndihmojë Kosovën në arritjen e këtyre qëllimeve”.

    lani për këto ura erdhi menjëherë pas themelimit të Bordit të Përbashkët mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Themelimi i këtij bordi u përkrah nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

    Më pas Lëvizja Vetëvendosje publikoi projektin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës.

    “Ky projekt do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe do të shërbejnë si infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim ndërmjet dy pjesëve të qytetit”, tha partia e Kurtit.

    Në reagim të këtij lajmi, Bashkimi Europian ditë më parë tha se as s’është në dijeni as s’është i përfshirë në projekt

    Bashkimi Europian tha se çdo vendim për ndërtim lidhur me këtë urë duhet të bëhet me kujdes dhe duke përfshirë komunitetet.

    “BE-ja as nuk është në dijeni dhe as e përfshirë në këtë projekt. Çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse duke përfshirë plotësisht të gjitha komunitetet e prekura”, ka thënë një zëdhënësi i BE-së për Express.

    Ndërtimi i këtyre dy urave u pa si përpjekje nga ana e Qeverisë së Kurtit për të zëvendësuar planin e dështuar për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, e cila s’u përkrah nga bashkësia ndërkombëtare.

    Verën e vitit të kaluar në Urën e Ibrit nisën procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve dhe atje u dërguan kamionë me pesha të rënda.

    Për hapjen e Urës së Ibrit, ndërkombëtarët kërkuan që ajo të diskutohet në tavolinën e dialogut dhe po të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe KFOR, i cili është i vendosur në këtë urë.

    Megjithatë, këto përpjekje përfunduan pa ndonjë rezultat.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark