PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit

    Insajderi
    03 July 2025 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

    Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:

    “Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë: 2. Hedhjen në votim të këtij Komisioni; 3. Vetë votimin e Komisionit; 4. Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”.

    Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.

    Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

    “Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë; Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive; Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare“, thuhet në njoftimin e tyre.

    Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën.

    Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark