
27 vjeçari, Agon Zejnullahu ka humbur jetën në Lipjan, në orët e para të së hënës. Ndërkohë pesë zyrtarët policorë në Lipjan, që janë përfshirë, në rastin e vdekjes së tij janë dërguar në mbajtje për 48 orë, shkruan Insajderi.
Lidhur me vdekjen e Agon Zejnullahut për media është deklaruar njëra nga mjeket e emergjencës.
“Mbrëmë e kemi pasë një thirrje nga stacioni policor, ora ka qenë 12 pas mesnate. Na thanë se janë disa persona të dehur.
Kur arritëm, e pamë që njëri prej tyre ishte pa shenja jete, i shtrirë afër një polici. Ishte ende i prangosur. Kërkuam që t’i hiqen prangat sepse ishte pa ndjenja, por ndihma e parë nuk pati sukses. Njoftuam policinë që duhet të lajmërohet forenzika.”
Mjekja thotë se nuk ishte informuar se bëhej fjalë për një person në gjendje të rëndë apo të vdekur.
“Ka qenë pa shenja jete, i kom tregu policit, i kom thanë që nuk kemi drejtë me largu prej vendit të ngjarjes, po ka bo kërkesë me dërgu te ju, shkaku që ka shumë njerëz, e kemi pru këtu, po pacienti vecse ka qenë i vdekun. Rasti është pak i dyshimt”, thotë ajo mes tjerash për demos.
Kujtojmë se Agon Zejnullahu, një 27-vjeçar, ka vdekur në rrethana të dyshimta në Lipjan, pak pasi u arrestua nga Policia në orët e para të së hënës.
Policia ka përdorur forcën ndaj të riut, për prangosjen e të cilit shihet se përpiqen tre zyrtarë policorë.
Policia njoftoi se pak para se viktima ta humbte jetën, ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet se po sulmonte automjete e kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në orët e para të së hënës.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, deklaroi ai. /Insajderi.org/