Kaos me bllokimin e sistemit të gjendjes civile në komunat e Kosovës, reagon Asociacioni dhe fajëson MPB-në - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kaos me bllokimin e sistemit të gjendjes civile në komunat e Kosovës, reagon Asociacioni dhe fajëson MPB-në

    Insajderi
    08 July 2025 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë për Administratë, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), reagon me shqetësim të thellë për paralizimin e shërbimeve të Gjendjes Civile në të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës për të dytën ditë me radhë, si pasojë e mosfunksionimit të sistemit qendror të rrjetit, një sistem që është përgjegjësi ekskluzive e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Regjistrit Civil, dhe jo e komunave.

    Ky kolaps teknik po ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme, kur mërgata jonë po kthehet në atdhe dhe kur mijëra qytetarë kanë nevojë urgjente për dokumente për regjistrime shkollore, punësime dhe shërbime të tjera jetike. Në vend të transparencës dhe veprimeve të menjëhershme, kemi parë një heshtje të plotë institucionale nga niveli qendror – pa asnjë njoftim publik, pa asnjë sqarim zyrtar dhe pa asnjë akt përgjegjësie.

    Kjo qasje është e patolerueshme dhe po dëmton rëndë besimin e qytetarëve në institucionet publike. Komunat janë vënë në pozitë të vështirë, duke u përballur me pakënaqësinë e qytetarëve për shërbime që nuk janë në kompetencën apo kontrollin e tyre, por që burojnë nga mosveprimi i nivelit qendror në mirëmbajtjen e një sistemi administrativ jetik.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon me urgjencë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Regjistrit Civil që:

    • Të rikthejnë pa vonesë funksionimin e plotë të sistemit, për të mundësuar ofrimin e shërbimeve të domosdoshme për qytetarët;
    • Të dalin me një njoftim zyrtar dhe të sqarojnë publikisht arsyet e këtij dështimi, si dhe masat që po ndërmerren për zgjidhje të menjëhershme dhe të qëndrueshme;
    • Të marrin përgjegjësinë institucionale për bllokimin e mbi 90% të kërkesave administrative në të gjitha komunat.

    Komunat e Republikës së Kosovës nuk do të qëndrojnë të heshtura përballë kësaj papërgjegjësie. Ne jemi dhe do të mbetemi në anën e qytetarëve dhe do të insistojmë fuqishëm në zgjidhjen e menjëhershme të kësaj situate që po cenon të drejtat dhe jetën e përditshme të qytetarëve tanë.

    Ky nuk është thjesht një problem teknik por është një dështim institucional që po rrezikon funksionimin bazik të shtetit dhe të së drejtës për qasje në shërbime publike.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark