Kuvendi nuk po mund ta zgjidhë “ngërçin” as për llaptopë- Rivlerësim, pezullim: Prapaskenat e tenderit për pajisje teknologjike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Kuvendi nuk po mund ta zgjidhë “ngërçin” as për llaptopë- Rivlerësim, pezullim: Prapaskenat e tenderit për pajisje teknologjike

    Insajderi
    09 July 2025 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Besnik Gashi

    Kuvendi i Kosovës përveç “ngërçit” për konstituim po ka probleme edhe në tenderim. Nuk po arrinë që t’ua sigurojë llaptopat deputetëve të rinj të kësaj legjislature. Një tender në vlerë të parashikuar të kontratës prej 120 mijë euro, të ofertuar nga 28 shkurti i këtij viti, është kthyer në vlerësim dhe së fundmi është në pezullim, si shkak i ankesës së një operatori ekonomik. Gazeta Insajderi ju sjell prapaskenat e këtij tenderi:

    Në fund të shkurtit të këtij viti, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi e kishte ndërmend t’i “gëzonte” deputetët e rinj të zgjedhur për nomenklaturën e radhës. Parashiheshin 120 llaptopë, 60 copë adapterë USB-C dhe 30 çanta për llaptopë. Krejt këtë shpenzim, parashihnin ta mbulonin përmes një tenderi me vlerën e parashikuar prej 120 mijë eurosh.

    Në aktivitetin e prokurimit u lajmëruan gjithsej tetë operatorë ekonomikë. Kuvendi i Kosovës si autoritet kontraktues më 24 mars zgjodhi si më të favorshmin EGS & Pattern SH.P.K, kompani kjo e cila fitoi tenderë për furnizim me pajisje teknologjike edhe në Zyrën e Kurtit.

    Megjithatë, lënda u kthye në rivlerësim. Tri ditë pas njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik ARITECH SH.P.K u ankua në Gjykatën e Tenderëve për disa shkelje procedurale të bëra nga EGS & Pattern SH.P.K. Në ankesën e tyre, thuhet se tek specifikat teknike, ky operator ekonomik vetëm ka kopjuar specifikat teknike, pa i detajuar dhe ofruar broshurë apo katalog për modelin e ofruar.

    Sipas këtyre dokumenteve të dorëzuara, natyrshëm lind pyetja se si ka pasur mundësi AK të bëjë vlerësimin e drejtë të ofertave, kur nuk ka pasur dokument të qartë se çfarë ka ofruar ky OE. AK nuk e di fare se çfarë brendi, modeli, prodhuesi do të pranojë, megjithëse në ftesën për ofertë e ka theksuar shumë qartë që nuk pranohen variantet”, thuhet ndër të tjera në ankesën e parë të ARITECH SH.P.K.

    Megjithatë, Kuvendi i Kosovës insiston se i ka vlerësuar ofertat në pajtim me ligjet e prokurimit.

    Duke pasur parasysh argumentet e cekura më lart, Autoriteti Kontraktues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, konstaton se vendimi dhe vlerësimi i tij janë të bazuara, ndërsa Kërkesa për Rishqyrtim e operatorit ekonomik ARITECH, SHPK, Prishtinë, është e pabazuar dhe, si e tillë, refuzohet“, thuhet në vendimin e Kuvendit.

    Gjithsesi, kështu nuk mendon edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

    Paneli Shqyrtues ka vendosur lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull ‘’Furnizim me pajisje te Teknologjisë Informative (llaptope) për deputetet e Legjistratures se re me numër të prokurimit 101-24 1018-5-5-8, të anulohet B58Njoftimi për dhenie te kontrates dhe lënda të kthehet në rivlerësim ku kërkon nga AK që gjatë rivlersimit të aplikon nenin 72 të LPP-së duke kërkuar sqarime se për çfar produkti bëhet fjala kur dihet që paisjet e IT-së ( Teknologjia e informacionit ) sikuse ky aktivitet i prokuruar ka evaluime gjatë gjithë kohës ndërsa marrveshja në mes të OE-ve pjesmarrës dhe AK-AQP-së është e nëshkruar në vitin 2024, ku OE i rekomanduar ka vulosur vetëm Aneksin 1 te DT ( Fteses për ofertim) kur fillimisht kan ofertuar një gjë e tillë është konstatuar edhe në Raportin e eksperti shqyrtues/ teknik ku eksperti teknik siq e ka konstatuar se duhet dihet çfarë produkti do t’ju liferohet”, thuhet në vendimin e OSHP’së, të datës 15 maj.

    Sidoqoftë, Kuvendi s’vonon shumë dhe e “rivlerëson” tenderin. Përbrenda një periudhe të shkurtër, shpërblen me kontratë sërish EGS & Pattern SH.P.K. Megjithatë, ARITECH SH.P.K, sërish nuk pajtohet me këtë vendim, duke thënë se rivlerësimi nuk është bërë në mënyrë të drejtë dhe në mënyrë selektive.

    Gjithashtu, AK nuk ka qenë në dijeni të saktë për markën (brandin) që do të furnizohet nga “EGS & Pattern Shpk”, duke deklaruar vetë se furnizimi do të jetë me pajisje të markës HP ose Lenovo. Kjo përbën ofrim të alternativave (variant), gjë që është rreptësisht në kundërshtim me rregullat e Ftesës për Ofertë“, thuhet ndër të tjera në vendimin e ARITECH.

    Edhe nëse Operatorit Ekonomik të përzgjedhur (GOE) do t’i ishte pranuar oferta me vetëm një nga markat e përmendura (p.sh. vetëm HP ose vetëm Lenovo), kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për përmbushjen e kërkesave të kontratës, pasi këto kërkesa janë të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe të detajuar në dokumentacionin e tenderit dhe kontratën përkatëse”, thuhet tutje në ankesë.

    Eksperti teknik për ankesën e dytë ka propozuar që të jetë pjesërisht e bazuar ankesa e ARITECH. Ndërkaq, eksperti shqyrtues s’ka dhënë ende opinion.

    Në këtë deklaratë është i cekur emri i prodhuesit “Lenovo” si prodhues i laptopëve. Dhe nje datasheet te produktit “Lenovo IdeaPad 5 2-in-1 14 IAL 10”. Të cilat dokumente janë në pajtim me kërkesat e AK-së dhe si rrjedhojë e vet vendimit paraprak të OSHP-së. Si përfundim propozoj që ankesa e OE të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi i AK-së“, thuhet në opinionin e ekspertit teknik.

    Megjithatë, për këtë tender pritet të merret vendim nga paneli shqyrtues i OSHP’së.

    Ajo çfarë është e çuditshme është fakti se ky aktivitet prokurimi s’figuron fare në faqen elektronike të Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik.

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar Kuvendit të Kosovës për të marrë një koment lidhur me ankesën e ARITECH SH.P.K dhe ka pyetur institucionin se me çfarë kriteri është përcaktuar fitues, megjithatë nga Kuvendi s’kanë dhënë shumë detaje.

    Lënda është rivlerësuar sipas Vendimit të OSHP-së. Një operator ekonomik ka bërë sërish ankesë në OSHP (26.06.2025). Pra, lënda është pezulluar nga Autoriteti Kontraktues deri në vendimin e radhës nga OSHP“, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.

    Insajderi iu është drejtuar me pyetje edhe kompanisë fituese për një koment, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë asnjë përgjigje. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark