
Rreshteri Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli, Albian Raktoceri dhe Endrit Beqiri Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, si të dyshuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Në dosjen të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, një nga arsyet pse Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e pesë policëve është edhe acarimi dhe tensioni që ekziston mes familjarëve të Agon Zejnullahut dhe këtyre të parëve.
Kërkesa e prokurorisë u konsiderua si e bazuar, ku gjykata la në paraburgim për 30 ditë Nelën, Rrahmanin, Konxhelin, Raktocerin dhe Beqirin.
Gazeta Insajderi nga dosja e Prokurorisë raportoi edhe versionin e prokurorit Ardian Emini dhe bashkëshortes së tij, gjyqtarja Elvira Emini, të cilët ishin dëshmitarë në natën krtike.
Në bazë të asaj çfarë kanë deklaruar para hetuesve të IPK’së, që të dy kishin dalë në shtegun e ecjes përreth lumit Sitnica në Lipjan në natën kritike. Prokurori Emini ka thënë se teksa ka qenë duke u konsultuar me një zyrtar policor për një rast, ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke bërtitur. Më pas, e kishte marrë vesh se është sulmuar me grushte në kokë.
“Vlen të ceket se gjatë javës së kaluar kam qenë Prokuror Kujdestar tërë javën rresht dhe deri sa kemi qenë në ecje e sipër unë me bashkëshorten time më ka kontaktuar Policia për të ju dhënë udhëzime lidhur me një rast dhe deri sa kam qenë në bisedë e sipër me zyrtarin policor për një moment bashkëshortja ka bërtitur dhe pashë një person që u largua nga prapa nesh dhe se bashkëshortja më tha që e kishte goditur me grusht prapa në kokë”, deklaroi prokurori Emini.
Pos tjerash, ai ka thënë se i është afruar Zejnullahut për ta qetësuar sigurinë e tij dhe të qytetarëve të tjerë. Prokurori e ka përshkruar Zejnullahun në “gjendje halucinacionesh” dhe të alkoolizuar.
Ai ka thënë se patrulla policore është vonuar përreth 10-15 minuta, për shkak se kanë qenë në një rast tjetër.
Se sulmi është realizuar në drejtim të gjyqtares, e ka konfirmuar vetë edhe Elvira Emini. Në intervistën e dhënë në cilësinë e dëshmitarëve para hetuesve të IPK’së, të cilën e ka parë Insajderi, thuhet se pas sulmit që ia kishte shkaktuar, ishte larguar menjëherë në mes të dy korsive të rrugës.
“Unë u koncentrova ne rruge dhe vazhduam te ecim, dhe për njëherë e kam vërejt hapat e atij personi dhe pasi i kam dëgju hapat, jam mundu mu largu pak, por ishte e kote sepse ai personi me goditi pas kokës. dhe përnjëherë iku, e kaloj rrugën dhe doli prape ne mes te dy korsive duke vazhduar me sjelljet e tij. Unë kam bërtit bukur shume ne ato momente dhe i kam thënë bashkëshortit tim qe ta lajmërojë policinë“, ka deklaruar ajo.
Siç përshkruan gjyqtarja Emini, prokurori kishte shkuar bashkë me 4-5 punonjës të një kompanie të taksit për ta neutralizuar situatën.
“Bashkëshorti im shkoj te ky personi dhe u mundu qe ta qetësoj te njëjtin deri sa ishin edhe nja katër ose pesë punëtorë te kësaj kompanie te cilët e kane pare ngjarjen ne tërësi, ndërsa bashkëshorti qëndronte me atë personin dhe unë e kam vërejt qe prej atij momenti sa ka qëndrua me bashkëshortin tim, ai nuk ka bere me probleme, e sa për veprime te tij, bashkëshorti im e sqaron ne deklaratën e tij“, deklaron tutje ajo.
Ajo thotë se me bashkëshortin e saj u dakorduan që të mos bëjnë ankesë lidhur me rastin, meqë nuk kanë dashur të bëhet “e madhe nëpër portale”.
Përveç dëshmisë së gjyqtares dhe prokurorit, Gazeta Insajderi ka sjellë mbrëmë rrëfimin e pesë policëve dhe një dëshmitari prezent në ngjarjen kritike të orëve të para të së hënës.
Dëshmitari i identifikuar si G.B., i intervistuar më 7 korrik 2025, ka treguar momentet kur e pa Agonin në gjendje të rënduar psikike dhe fizike.
“Me këtë datë rreth orës 00:00, kam qenë me veturën time të modelit Golf 7 dhe duke kaluar e kam parë Agonin i cili kishte qenë afër një veture të modelit Tiguan dhe i njëjti dëshironte të hynte në veturë, mirëpo nga vetura dolën një djalë dhe një grua të cilët nuk e lejuan të hynte.”
Fillimisht, ai kishte menduar se ishte një kacafytje.
“E kam marrë Agonin dhe e kam afruar tek vetura ime ku jam munduar ta qetësoj dhe e kam pyetur se çfarë ka, ndërsa i njëjti vetëm thoshte ‘largomi se po më ngucin, mos i le me më nguc njerëzit, rri me mu’, ku këtë fjalë e ka përsëritur disa herë”.
Sipas dëshmitarit, Agoni mezi qëndronte në këmbë dhe i dilte shkumë nga goja.
“Disa herë jam munduar ta bindë që ta dërgoj tek doktori apo tek shtëpia e tij, mirëpo nuk ka pranuar.”
Më tej, dëshmitari rrëfen se Agoni kishte frikë se po ndiqej dhe tentonte të futej në çdo veturë që kalonte.
“Në momentin që ndonjë kalimtar kalonte afër tij, Agoni menjëherë shikonte vetëm se si të largohej… kur ka ardhur një patrullë policore, Agoni ka dashur të hyjë në veturë zyrtare, por është rrëzuar për tokë”.
Policët, sipas dëshmisë, kishin përdorur sprej lotsjellës për ta ndaluar.
“Agoni ka hyrë në veturën time dhe më ka thënë që mos ti lejoj të e ngucin… prapë ka pasur shkumë në gojë të cilën e fshinte me bluzë tek kraharori.”
Në një moment, Agoni kishte dalë sërish nga vetura dhe ishte kapur nga policët.
“Policët e kanë kapur dhe e kanë shtrirë për tokë… njëri nga ta i kishte vendosur gjurin në shpinë tek pjesa e qafës duke e shtypur për toke.”
Gjatë arrestimit, dëshmitari dëgjoi Agonin duke thënë:
“Mos më lidhni se nuk kam bërë kurgjo” dhe “nuk muni mem lidh se unë punoj sigurim”.
Pas kësaj, ai Kishte parë “dy apo tri tuba shkumë në tokë” dhe u kishte kërkuar policëve ta lënë të qetë.
“Ju kam thënë zyrtarëve policor lene mos e munoni se nuk është në gjendje me ba kurgjo, mirëpo asnjë nuk ka folur me mua.”, thuhet në dosjen e Prokurorisë që e ka siguruar Insajderi.
Në fund, ai thotë se Agoni u ngrit pa vetëdije dhe, sipas dëshmisë, policët tentuan ta kthejnë në vetëdije.
“Janë munduar ti lagin sytë me ujë dhe ta kfjellin duke e goditur me shuplaka në faqe, e më pas ka ardhur ambulanca ku Agonin e kanë vendosur në shtratin e ambulancës ende me duart e lidhura.”
Dëshmitari largohet nga vendi i ngjarjes në atë moment dhe thotë se nuk di më çfarë ka ndodhur me Agonin pas transportimit me autoambulancë.
Në cilësinë e të dyshuarit, Rreshter Ibrahim Nela:
Nela tregon se Agoni ka vepruar në mënyrë të dhunshme që nga momenti kur ata kanë arritur në vendin e ngjarjes, duke tentuar t’i sulmonte. Thotë se zyrtari Albian Retkoceri përdori sprejin lotsjellës, ndërsa Agoni më pas u fut në një veturë Golf, ku nuk dinte çfarë fliste dhe ishte “jashtë kontrollit”.
“Ka pasur sytë më të rritur, ka qenë pothuajse tërësisht i djersitur dhe gjendja e tij psikike ka qenë jashtë kontrollit pothuajse totalisht dhe ka bërë veprime të çuditshme…” Ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për toke, por vlen të ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe…” Pasi që i kemi vendosur prangat… aty e kemi parë që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe kemi marrë ujë ku jemi munduar ta freskojmë… ndërkohë ka ardhur autoambulanca cila nga thirrja jonë është vonuar shumë… të cilëve ju kemi ndihmuar ta vendosin në lesë dhe më pas e kanë vendosur në autoambulancë dhe… kanë njoftuar që qytetari nuk ka shenja jete.”
Në cilësinë e të dyshuarit, zyrtari policor Albian Retkoceri:
Retkoceri thotë se Agoni “kërceu drejt tyre” me fyerje, gjë që e detyroi të përdorte sprejin. Përmend se ai nuk u ndal as kur iu dha komanda verbale dhe se gjatë arrestimit tregoi rezistencë ekstreme.
“Si na ka parë neve ka kërcyer në drejtim tonin me na sulmuar duke na sharë ‘unë ja u qij nanën’…” dyshuari ka vazhduar të lëvizë në mënyrë të çrregullt dhe i njëjti ka hyrë në ulësen e shoferit… duke refuzuar të qetësohej. Gjatë kohës sa kemi qenë në prangim e sipër i dyshuari ka rezistuar…” “Pas vendosjes se prangave të dyshuarin e kemi ngjitur në pozitën në gjunjë dhe unë kam vrapuar në veturën zyrtare për të marr një shishe me ujë dhe i kam qit ujë në fytyrë…”
Në cilësinë e të dyshuarit, zyrtari policor Artidon Konxheli:
Konxheli ishte thirrur nga një aksident tjetër dhe, kur arriti, gjeti Agonin duke bërë lëvizje të çrregullta dhe duke folur fjalë të pakuptimta. Thotë se iu deshën disa sekonda për ta vënë nën kontroll me “forcë duarthatë”, pasi ishte shumë i fortë.
“Aty kam dëgjuar nga personi i dyshuar fjalë të pakuptimta dhe lëvizje shumë të çrregullta, sipas meje dukej qartë se nuk ishin veprime normale….E kishim problem që t’ia vendosnim prangat, mirëpo pas disa sekonda… ishte shumë i zhvilluar fizikisht…Pas disa minutash në lokacion ka ardh shefi i operatives… kam vërejtur një qese me substancë të dyshuar narkotike…”
Në cilësinë e të dyshuarit, zyrtari policor Liridon Rrahmani:
Rrahmani e përshkruan Agonin si “me lëvizje trupore të pakontrolluara” dhe që fliste fraza të pakuptimta, duke mos njohur askënd. Ai deklaron se, pasi doli nga vetura, u shtri për toke me forcë dhe më pas u prangos.
“Pasi që i dyshuari kishte lëvizje trupore të pakontrolluara… përdorte një re të çuditshme citoj ‘spo du me ju pa, nuk po ju njoh’…” Në një moment të caktuar i dyshuari vet ka dalë nga vetura Golf 7… rreshteri ka qenë afër tij dhe e ka kap në krahun e majt…” E kemi shtri për toke me që rast kemi bërë arrestimin e tij…”.
Në cilësinë e të dyshuarit, zyrtari policor Endrit Beqiri:
Beqiri, zyrtar policor jashtë detyre, ndihmoi rastësisht kur kalonte aty. Ai thotë se Agoni kishte shumë forcë dhe se, pasi u prangos, nuk tregonte rezistencë, por dukej pa vetëdije.
“Kam vërejt se personi kishte veprime të çrregullta duke prekur vetën me duar… dhe u futke përsëri në veturë duke i vënë duart te koka…” Në asnjë moment nuk kam qenë i vendosur mbi trupin e personit për ta neutralizuar…” Pasi e kam ndihmuar për ta prangosur, e kam ngritur dhe aty kam vërejtur se ishte pa vetëdije, por me sy të hapur… kam tentuar t’ja kthej vetëdijen duke ja shkundur fytyrën… pastaj ja kam hedhur ujë në fytyrë…”, thuhet mes tjerash në deklaratat e zyrtarëve të dyshuar, në dosjen e Prokurorisë.
Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar të mërkurën masën e paraburgimit prej 1 muaji, pesë policëve të dyshuar për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu.
Ndërkaq të enjten është bërë e ditur se komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi, ka ofruar dorëheqje morale pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.
Gashi në një prononcim për Gazetën Insajderi ka bërë të ditur se ende është në pritje të vendimit dhe se pret që t’i ndërrohet pozita.
“Kam ofru dorëheqje morale, akoma nuk kam vendim të ri. S’jam shkarkuar“, ka bërë të ditur Gashi. /Insajderi.org/