
Më 2 maj të këtij viti Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan dorëzoi kallëzim penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër qytetarit Urim Tasholli, duke e akuzuar për “deklarim të rremë”.
Sipas kallëzimit të policisë, Tasholli dyshohej se kishte dhënë deklaratë të rrejshme lidhur me dëmtimin e veturës së tij.
Ai kishte deklaruar se vetura e tij ishte gërvishtur në parkingun e një marketi, ndërsa policia pretendonte se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur dhe se Tasholli kishte mashtruar duke pohuar se dëmtimi kishte ndodhur vetëm në atë vend.
Sipas aktvendimit të Gjykatës, nuk ekzistonte asnjë provë që konfirmonte se Tasholli kishte dhënë një deklaratë të tillë në cilësinë e dëshmitarit.
Përkundrazi, Tasholli kishte deklaruar qartë se dëmin në veturë e kishte vërejtur pas daljes nga marketi, pa përjashtuar mundësinë që ai mund të ishte shkaktuar edhe më herët.
Prokuroria konstatoi se nuk kishte asnjë element të veprës penale të “deklarimit të rremë” dhe rrjedhimisht pushoi hetimet ndaj qytetarit.
Gjithashtu, Tasholli kishte dorëzuar edhe një audio-dëshmi ku dëgjoheshin policët duke folur me tone arrogante e ofenduese, duke ngritur shqetësime serioze për sjelljen dhe etikën profesionale të zyrtarëve policorë në këtë rast.
Në linkun e mëposhtëm mund të dëgjoni audio-incizimin që tregon mënyrën (sipas Tashollit) se si qytetari është trajtuar në stacionin policor në Lipjan, gjatë kohës sa kishte shkuar për të dhënë deklaratë. Ai pretendon se polici që e ka trajtuar në atë mënyrë është Artidon Konxheli, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, pasi dyshohet të jetë i përfshirë në kryerjen e veprës penale të vrasjes nga pakujdesia ndaj 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.