“Enver Hoxha mund të vriste edhe nënën e tij”, ish-ambasadori gjerman: Ishte ndër diktatorët më gjakatarë të shekullit XX - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Enver Hoxha mund të vriste edhe nënën e tij”, ish-ambasadori gjerman: Ishte ndër diktatorët më gjakatarë të shekullit XX

    Insajderi
    13 July 2025 - 19:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më 2 korrik 1990, shqiptarët morën një nga vendimet më të guximshme në historinë e tyre të afërt.

    Me të vetmen armë në dorë – shpresën – mijëra qytetarë sfiduan frikën e rrënjosur nga një regjim brutal komunist dhe i drejtuan sytë nga Perëndimi, duke mësyrë ambasadat e huaja në Tiranë.

    Rreth 5 mijë shqiptarë, pa asnjë garanci sigurie, kapërcyen gardhe dhe rrethime, duke kërkuar strehë politike në ambasadat e vendeve perëndimore.

    Më shumë se 3.000 prej tyre u strehuan në ambasadën gjermane, e cila në ato momente u kthye për ta në një “Tokë të Premtuar”.

    Në qendër të këtij akti historik ishte ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Hans-Joachim Daum, i cili kishte hapur ambasadën në vitin 1987.

    Tre vite më pas, ai jo vetëm do të bëhej dëshmitar i një eksodi të paprecedentë, por edhe protagonist i ndihmës që iu dha shqiptarëve për të hyrë në ndërtesën e ambasadës së re të sapo përfunduar.

    Në një intervistë të dhënë pak para vdekjes për Top Channel, ambasadori Daum ndau kujtimet e tij nga Shqipëria e fundit të viteve ’80 dhe përjetimet nga një regjim që ai e përshkruan si një “shfaqje teatrale” me popullin shqiptar si aktorë të detyruar.

    “Shqiptarët nuk kishin mundësi të më mirëprisnin. Nuk u lejohej të flisnin apo të shiheshin me të huaj. Nëse ndodhte kjo, merreshin në pyetje nga policia dhe Sigurimi,” tha ai. Ai rrëfeu se i ishte dashur kohë për të kuptuar se ajo që i paraqitej si realitet, ishte thjesht një mizanskenë propagandistike e një regjimi shtypës dhe paranojak.

    Ambasadori Daum u takua shpesh me drejtuesit më të lartë të regjimit, përfshirë Ramiz Alinë, të cilin e përshkroi si më të moderuar krahasuar me paraardhësin e tij, por sërish pjesë e “komedisë politike” që përpiqej të paraqiste një normalitet të rremë.

    Për Enver Hoxhën, ambasadori nuk kurseu asnjë kritikë: “Enver Hoxha ishte një vrasës masiv. Nëse do të ishte e nevojshme, ai do të vriste edhe nënën e tij,” tha Daum. Ai kujtoi mijëra shqiptarë që u burgosën e u internuan për bindjet e tyre fetare apo politike, duke e renditur Hoxhën ndër diktatorët më gjakatarë të shekullit XX.

    Ngjarjet e 2 korrikut 1990 ishin preludi i rënies përfundimtare të diktaturës në Shqipëri. Ato ditë, të mbushura me ankth dhe shpresë, mbeten simbol i trimërisë së një populli që zgjodhi lirinë, edhe kur ajo vinte me kosto të panjohura. Historitë si ajo e ambasadorit Daum dëshmojnë se, përballë tiranisë, shpresa dhe guximi janë më të fuqishme se frika.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark