
Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë në kuadër të shënimit të 23 prillit, Ditës së Pakicës Turke.
Ai është duke zhvilluar takime me përfaqsues të lartë të shtetit të Kosovës.
Fillimisht ai ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin kanë biseduar se dy vendet janë të interesuara që një bashkëpunim i mirë siç ka ndodhur deri më tani, të vazhdojë tutje.
Kurtulmuş ka premtuar se Turqia do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në proceset integruese dhe lobimin për e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë pjesë e shteteve të Bashkimit Europian dhe se Turqia do ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim.
“Ne kërkojmë së pari liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pastaj të bëhet pjesë e BE-së. Njohja e pavarësisë së Kosovës do ishte e mirë për të gjitha vendet myslimane dhe evropiane. Nga këtu ju bëjë thirrje edhe njëherë të gjitha vendeve arabe që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin Kosovën edhe ato shtete evropiane sepse Kosova është pjesë e Evropës”, ka thënë Kurtulmuş.
Në anën tjetër Veseli, ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe ai i Turqisë kultivojnë ndërmjet tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, duke shfrytëzuar përvojën e çmuar dhe të gjatë parlamentare të Turqisë.
Zv.kryeministri turk, gjatë ditës është takuar edhe me presidentin Hashim Thaçi, por se takimi i tyre ka qenë i mbyllur për media./Insajderi.com