
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka dhënë një mesazh të qartë për klasën politike kosovare, duke theksuar se përgjegjësia për zgjidhjen e ngërçit institucional bie tërësisht mbi politikanët, dhe jo mbi Gjykatën Kushtetuese.
Në një intervistë në emisionin FIVE të TV Dukagjinit, Rohde ka shprehur shqetësimin e tij për bllokimin e vazhdueshëm të proceseve politike, duke paralajmëruar se kjo situatë po dëmton reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Nuk jam në pozitë të vlerësoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja qartazi ka thënë se iu takon politikanëve që ta zgjidhin problemin. Mua më duket që, në anën politike, shpresojnë që referi i madh do të jetë gjykata, por Kushtetuesja nuk mund ta bëjë punën e politikanëve”, tha Rohde.
Ai theksoi nevojën për zgjidhje të shpejtë, duke sjellë në vëmendje edhe thirrjen e ambasadorit francez për kompromis:
“Zgjidhja duhet të bëhet shpejt, përndryshe, e dini… kur kolegu im francez e kishte ditën ndërkombëtare, ai gjithashtu bëri thirrje për kompromis për ta zgjidhur këtë ngërç politik”.
Sipas Rohde, vonesat e mëtejshme rrezikojnë që Kosova të humbasë “anijen” ndërkombëtare:
“Nëse asgjë nuk ndodh, Kosova po e humb anijen, sepse relevanca e Kosovës do të zbehet. Nëse nuk e keni një qeveri vendimmarrëse, si mund të jeni të rëndësishëm? Puna është shqetësuese… shpresoj që së shpejti Kosova do të na japë lajme të mira dhe jo si deri më tani”.
Ambasadori gjerman kritikoi mungesën e vullnetit politik për të dalë nga kriza:
“Më duket që askush deri më tani nuk po përpiqet të bëjë një hap përpara – për vendin, për popullatën, por gjithashtu edhe për reputacionin ndërkombëtar. Kosova duhet të ecë përpara”, përfundoi Rohde.