
Rruga “Rexhep Luci” në Prishtinë supozohej tashmë të ishte e rigjeneruar dhe të shijohej nga kalimtarët para verës, meqë u destinua për ta dhe u bllokua për veturat. Megjithatë, kjo rrugë tashmë për kalimtarët dhe frekuentuesit e lokaleve të gastronomisë përreth karakterizohet me pluhur dhe zhurma të bezdisshme të mjeteve të rënda të biznesmenit malishevas, Vllaznim Mazreku, i cili akuzohej për mashtrim në aktivitete të prokurimit publik dhe zvarritje të punëve.
[ARTIKULL I REDAKTUAR]
Edhe më 16 korrik të 2025-ës po vijojnë punimet në rrugën “Rexhep Luci”. Ndonëse ishin dhënë afate të ndryshme për finalizimin e saj, bagerët e kompanisë “Flamuri V” SH.P.K vazhdojnë punimin në shtrimin e kalldrëmit të destinuar për qytetarët.
Palë interesi në kushte anonimiteti për Gazetën Insajderi kanë bërë të ditur se zvarritja e punimeve së fundmi ka ndodhur si shkak i mos-ekzekutimit të të hollave ndaj operatorit ekonomik prej anës së Komunës së Prishtinës.
Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje për këtë çështje Komunës së Prishtinës, por deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Punimet për rigjenerimin e kësaj rruge dhe mbylljes së saj për vetura filluan në nëntor të vitit të kaluar, derisa punimet pritej të zgjasnin 120 ditë.
“Kjo rrugë do të bëhet një hapësirë më e sigurt dhe më funksionale, me përdorimin e materialeve prej guri, më shumë drunj dhe një lidhje të re me pjesën e sipërme të qytetit”, kishte deklaruar Rama në një video promovuese për këtë rrugë.
Ndërkaq komuna e Ramës publikoi planin për rigjenerim të kësaj rruge në shtator të 2023-ës.
“FLAMURI V” fitoi një tender edhe më të madh, me vlerë që kalon një milion euro, për punë në projektin e rikonstruktimin e rrugës “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”.
Ky tender iu dha Mazrekut përkundër kritikave të shumta që kishin shoqëruar realizimin e punimeve në rrugën “Xhavit Ahmeti” e njohur si “Bledi”, ku u theksuan moskryerja e punimeve, vonesat e afateve dhe neglizhenca në realizimin e projektit.
Kontrata kap vlerën e 1 milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë euro e pesëdhjetë e gjashtë euro cent (1,338,169,56 euro).
Ankesat e banorëve të rrugës “Xhavit Ahmeti”
Kontrata për “Ndërtimin e rrugës Xhavit Ahmeti” ishte lidhur më 11 janar të 2024-ës, mes autoritetit kontraktues Komunës së Prishtinës dhe grupit të operatorëve ekonomik: Flamuri V SH.P.K, Benita Company, dhe AAB Construction SH.P.K, të përfaqësuar nga Vllaznim Mazreku, drejtor i këtij grupi.
Komuna e Prishtinës kishte ndarë shumën prej 383,054.20 euro (treqind e tridhjetë e tre mijë e pesëdhjetë e katër euro e 20 cent) për realizimin e këtij projekti.
Megjithatë, vetëm pak kohë pas nënshkrimit të kontratës, kompania “Flamuri V”, me pronar Vllaznim Mazrekun, u shpërblye gjithashtu me një tender tjetër nga komuna e Prishtinës. Pavarësisht se banorët e lagjes “Xhavit Ahmeti” mbeten të pakënaqur me cilësinë e punimeve, ose më saktë, me mungesën e përfundimit të tyre nga ky operator ekonomik.
Sipas kontratës fillestare, punimet në këtë rrugë ishin parashikuar të përfundonin brenda tre muajve, por kishte kaluar gati një vit dhe ende vazhdonin punimet në këtë lagje.
Vllaznim Mazreku kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjakovë për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhej se Vllaznim Mazreku, në periudhën kohore gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në cilësi të drejtorit të kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, me seli në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit, duke paraqitur dokumentacione të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues, Komunës së Malishevës.
Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që në tenderin “Asfaltimi i rrugëve të fshatrave të komunës së Malishevës, Loti-1, Bellanicë, Ngucat, Balincë, Bubel dhe Loti-2 Carrallukë, Turjakë dhe Burim”, pa dijeni dhe pa autorizimin e tij ka përdorur dokumentacionin e Arbnor Hetemit, inxhinier i hidroteknikës, si kontratë mbi projektin, listë e stafit profesional, CV, kopjen e diplomës master, autorizimin për këtë projekt, edhe pse nuk ishte pjesë e kompanisë tenderuese “Flamuri Sh.p.K”.
Gazeta Insajderi qëndron tërësisht pas çdo fjale të këtij raportimi. Për hir të korrektësisë, mund të gjeni bashkëngjitur reagimin e plotë të kompanisë “Flamuri Sh.P.K”, e cila iu është përgjigjur mediumit një javë më pas:
Lidhur me pyetjen tuaj “A mund të na tregoni arsyen pse janë zvarritur punime në këtë rrugë? A ka qenë shkak vonesa e pagesës nga ana e Komunës së Prishtinës?”, ju njoftojmë si në vijim:
SQARIME THEMELORE
Kompania “Flamuri V” Sh.P.K. ka nënshkruar me Komunën e Prishtinës kontratën “Rekonstruimi i rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha” me datë 08.11.2024 ndërsa kontratën për punët e parapara e kemi nënshkruar me datën 23.06.2025.
Punimet kanë filluar menjëherë kur jemi ftuar nga autoriteti kontraktues. Sipas pikës 17.2 të Kushteve të Veçanta të Kontratës (KVK) respektivisht në fq. 15 të kontratës të datës 08.11.2024, afati për realizimin e kontratës është njëqind e njëzet (120) ditë pune. Shih figurën si vijon:
Ndërsa sipas pikës 17.2 të Kushteve të Veçanta të Kontratës (KVK) respektivisht në fq. 15 të kontratës të datës 23.06.2024, afati për realizimin e kontratës për punë shtesë të paparapara është gjashtëdhjetë (60) ditë pune. Shih figurën si vijon:
Pra në tërësi afati i kontraktuar për realizimin e projektit në rrugën “Rexhep Luci” është 180 ditë pune dhe atë 120 ditë pune për kontratën bazë dhe 60 ditë pune për kontratën për punë të paparapara.
LIDHUR ME PYETJEN
Me datë 16.07.2025 rreth orës 12:00 kemi pranuar pyetjen tuaj të cituar më sipër përmes adresës tonë elektronike. Parimisht ne si kompani jemi të hapur ndaj të gjitha mediave dhe portaleve. Prandaj në mundësinë e parë kemi filluar me përgatitjen e përgjigjes në pyetjen tuaj. Në ndërkohë ne e kemi kuptuar që të njëjtën ditë kur keni dërguar pyetjen (16.07.2025) pa kaluar ende katër (4) orë (rreth 200 minuta më vonë), ju keni publikuar shkrimin me titull “Kompania e biznesmenit të akuzuar për mashtrim zvarrit në “pafundësi” punimet në rrugën “Rexhep Luci” – Supozohej të kryheshin për katër muaj”.
Fillimisht ju njoftojmë që pronari i kompanisë “Flamuri V” Sh.P.K. aktualisht nuk është i akuzuar për mashtrim. Prandaj konstatimi juaj “Kompania e biznesmenit të akuzuar për mashtrim…” nuk është e saktë sepse pronari i kompanisë nuk është duke u akuzuar as për mashtrim dhe as për ndonjë vepër tjetër penale. Ky fakt mund të argumentohet lehtësisht përmes vërtetimeve që mund të lëshohen nga organet kompetente gjyqësore.
Tutje ju njoftojmë kompania “Flamuri V” Sh.P.K. që nga momenti i nënshkrimit të kontratës me Komunën e Prishtinës, ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për të realizuar projektin në përputhje të plotë me kontratën e nënshkruar. Ne jemi brenda planit dinamik dhe ende nuk kanë kaluar 120 ditë punë nga kontrata bazë. Aktualisht nuk kemi arritur as te dita e 100 e punimeve . Ky fakt mund të argumentohet lehtësisht përmes dokumenteve teknike te projektit . Prandaj konstatimi juaj që kompania Flamuri V “zvarrit në “pafundësi” punimet…” është konstatim i pasaktë pasi që me asnjë veprim të vetëm ne nuk kemi shpërfaqur asnjë tendencë për zvarritje dhe as nuk është interes i kompanisë tonë zvarritja e projektit. Mbi të gjitha ne jemi brenda planit dinamik duke zhvilluar punimet në përputhje të plotë me kontratën.
Po ashtu edhe konstatimi juaj që projekti “Supozohej të kryheshin për katër muaj” është i pasaktë. Kjo për arsye që sipas kontratës afati për realizimin e kontratës është 120 ditë të punës dhe jo për katër (4) muaj sikurse thuhet në shkrimin që ju e keni publikuar. Pra 120 ditë të punës nuk nënkuptojnë katër (4) muaj kalendarik në asnjë rast.
Sa i përket përmbajtjes së shkrimit tuaj, konsiderojmë se aty ekzistojnë shumë informacione të pasakta por edhe kundërthënëse mes tyre. Si shembull mund të marrim pjesën ku thuhet “Edhe më 16 korrik të 2025-ës po vijojnë punimet në rrugën “Rexhep Luci”. … bagerët e kompanisë “Flamuri V” SH.P.K vazhdojnë punimin në shtrimin e kalldrëmit të destinuar për qytetarët”. Ndërsa në paragrafin vijues thuhet se “Palë interesi në kushte anonimiteti për Gazetën Insajderi kanë bërë të ditur se zvarritja e punimeve së fundmi ka ndodhur si shkak i mos-ekzekutimit të të hollave ndaj operatorit ekonomik prej anës së Komunës së Prishtinës”.
Pra në njërën anë ju vet e konfirmoni që Flamuri V është duke vazhduar punimet në rrugë dhe njëkohësisht pretendoni që “Flamuri V” është duke zvarritur punimet (jo vetëm në titull por edhe në tekst). Me konsiderojmë se kjo përbën kundërthënie të hapur në shkrimin tuaj.
Ju lutem keni parasysh që kompania “Flamuri V” Sh.P.K. është një kompani serioze e cila punon me shumë përkushtim dhe profesionalizëm. Kjo mund të konfirmohet nga të gjithë personat që bashkëpunojnë me kompaninë tonë, duke filluar nga punonjësi më i thjeshtë në kompaninë tonë, deri te klientët privat dhe te autoritetitet kontraktuese – institucionet publike. Reputacioni ynë është ndërtuar me punë të ndershme dhe profesionale përgjatë shumë viteve.
Shkrimi i publikuar nga Gazeta Insajderi përmban informacione të pavërteta të cilat ju është dashur t’i dini (duke kërkuar qasje në dokumente në Komunë dhe/apo Gjykatë) apo nëse nuk i keni ditur, tanimë jeni të informuar që janë të pavërteta. Publikimi i fakteve të tilla të pavërteta nga Gazeta Insajderi është duke dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme reputacionin e mirë të kompanisë tonë që e kemi ndërtuar me shumë përpjekje si dhe me punë dhe përkushtim përgjatë shumë viteve.