Incident në Kaçanik – Nënkoloneli Rexhep Sijarina ankohet në IPK për sjellje joetike të një zyrtari policor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Incident në Kaçanik – Nënkoloneli Rexhep Sijarina ankohet në IPK për sjellje joetike të një zyrtari policor

    Insajderi
    16 July 2025 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një incident është shënuar më 9 korrik në qytetin e Kaçanikut, ku të përfshirë ishin nënkoloneli i Policisë së Kosovës Rexhep Sijarina, deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj dhe biznesmeni, Bujar Bela dhe disa zyrtarë policorë.

    Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, pas një ankese të qytetarëve për zhurmë të lartë që vinte nga një shtëpi private ku po mbahej një aheng me muzikë live.

    Një patrullë policore nga Stacioni Policor i Kaçanikut kishte ndërhyrë në vendin e ngjarjes për të adresuar shqetësimet për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

    Burime të Insajderit bëjnë të ditur se sjellja e disa të pranishmëve përfshirë nënkolonelin, deputetin dhe biznesmenin nuk ishte etike ndaj zyrtarëve policorë që kishin shkuar për të kryer detyrën e tyre.

    Megjithatë, nënkoloneli Rexhep Sijarina, i njohur si “Reksi”, ka paraqitur një ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës, ku ka fajësuar një prej zyrtarëve policorë për sjellje të papërshtatshme.

    Më 09.07.2025, rreth orës 23:40, kam qenë i pranishëm në një aheng familjar në një shtëpi private në qytetin e Kaçanikut, ku zhvillohej muzikë live. Muzika ishte ndërprerë në momentin kur në vendin e ngjarjes kanë arritur zyrtarët policorë për të intervenuar lidhur me ankesat për zhurmë,” thuhet në deklaratën e tij.

    Ai ka sqaruar se ndodhej në katin e tretë të shtëpisë dhe, pasi ishte informuar për një situatë të tensionuar jashtë, kishte zbritur për të parë nga afër çfarë po ndodhte.

    “Menjëherë kam zbritur për të vlerësuar situatën dhe posa iu afrova zyrtarëve policorë, jam prezantuar qartë si epror i Policisë së Kosovës. Në atë moment, njëri nga zyrtarët policorë, të cilin më pas e identifikova me numër krahu 1…, reagoi me sjellje të papërshtatshme, më shtyu me duar dhe tha: ‘Mos u afro, se nuk po të njoh dhe po kundërmon alkool!’,” ka deklaruar Sijarina.

    Sipas tij, sjellja e zyrtarit ishte arrogante, joetike dhe në kundërshtim me normat e sjelljes së një zyrtari policor, veçanërisht ndaj një eprori, në një situatë ku nuk kishte asnjë provokim apo kërcënim.

    Çka thanë Policia dhe IPK për rastin?

    Nga Policia e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, është konfirmuar rasti.

    Aty thuhet se ishte një aheng shoqëror dhe policia ka shqiptuar tri kundërvajtje për PRQP.

    “Ju njoftojmë se më datën 09.07.2025, rreth orës 23:25, patrulla e stacionit policor në Kaçanik është angazhuar në trajtimin e një rasti që lidhet me prishjen e rendit dhe qetësisë publike (PRQP), për shkak të muzikës me zë të lartë jashtë orarit të lejuar me ligj. Në një shtëpi ku po zhvillohej një aheng shoqëror, policia ka shqiptuar tri kundërvajtje për PRQP”

    Policia gjithashtu ka theksuar se, në atë lokacion ishin të pranishëm edhe zyrtarë policorë, është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për të hetuar çdo mundësi përfshirjeje të tyre.

    Nga IPK nuk kanë dhënë shumë detaje, por kanë konfirmuar se kanë pranuar informacion për rastin dhe për pretendimin e përfshirjes së një eprori policor.

    “Duke iu referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se më 10.07.2025, hetuesit e IPK-së kanë pranuar informacion lidhur me një rast ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’ në Kaçanik, si dhe pretendimin për përfshirjen e një eprori policor në këtë çështje”, thuhet në konfirmimin e IPK-së.

    Sipas IPK-së, informacionet janë përcjellë në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave për trajtim fillestar dhe analizë.

    “Veprimet e tjera do të ndërmerren në kuadër të autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor,” thuhet në përgjigjen e IPK-së.

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga deputeti Enver Hoxhaj, por ai nuk ka pranuar të flasë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark