Familja Sadiku ushtron kallëzim penal plotësues: Afrim Gashi “paralajmëroi” prokuroren për zarfin me dokumente nga Serbia - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Familja Sadiku ushtron kallëzim penal plotësues: Afrim Gashi “paralajmëroi” prokuroren për zarfin me dokumente nga Serbia

    Insajderi
    16 July 2025 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nexhat dhe Gursel Sadiku, të cilët janë paraqitur si të dëmtuar në rastin e pronës milionëshe në Veternik të Prishtinës, kanë paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kallëzim penal plotësues dhe një audio-incizim ndaj të dyshuarve Afrim Gashi, Borko Bosliq dhe personave NN., të cilët thuhet se duhet të hetohen nga Prokuroria.

    Sipas këtij kallëzimi penal plotësues, i dyshuari Afrim Gashi, gjatë kohës sa ishte në arrest shtëpiak dhe po intervistohej në Prokurori më 15 nëntor 2023, ndonëse ishte mbrojtur në heshtje, në bisedë e sipër kur prokurorja po thoshte se i dyshuari tjetër- Ylber Hysenaj duhet të shkojë në Prokurori dhe t’i dorëzojë dokumentet origjinale të pronës që të shkojnë në ekspertizë, pasi këto dokumente nuk janë gjetur askund, Gashi ishte shprehur se “ani, ani, vinë, vinë tash prej arkivit të Beogradit…nashta edhe qatje s’na akuzoni”.

    Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postës “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.

    Në këtë zarf, të ardhur përmes rrugëve jo zyrtare thuhej se ishte e vërteta e kësaj prone, pasi ishin kinse dokumentet origjinale të pronës dhe iu referohej kërkesës së Prokurorisë të bërë në arkivin në Serbi, përmes rrugëve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë (MD).

    Zarfi ishte dërguar nga “Mr.Borko” dhe nga numri kontaktues që ai kishte lënë, dilte të ishte Borko Bosliq.

    Për këtë, sipas kallëzimit penal të ushtruar nga familja Sadiku, thuhet se persona NN (zyrtarë të Prokurorisë), e kishin pajisur të dyshuarin Gashi me informata të brendshme, me numrin e protokollit të kërkesës në MD, duke ia mundësuar të dyshuarit Gashi të përgatisë sipas tyre një dosje të re të falsifikuar, kinse të dërguar nga arkivi serb.

    Sipas audio-incizimit që palët kanë bashkëngjitur, ndër të tjera citohet kjo bisedë mes prokurores, të dyshuarit Afrim Gashi dhe avokates se tij.

    Prokurorja: Kërkund nuk jon! as në gjykatë as kërkund.

    Afrim Gashi: eh, vallahi…

    Prokurorja: eh, vallahi, qai ptoblemi i vallahit, s’pi kem edhe origjinalet, as s’jonnë arkiva, as sjon në gjykatë, as s’jon kund mbi kit tokë

    Afrim Gashi: Ani, ani, vijnë vijnë tash prej arkivit të Beogradit, vijnë!

    Prokurorja: Vijne, ishalla vijne! Na qata pe dojna!

    Avokatja e Afrim Gashit: Ato janë pjese e Ylberit!

    Afrim Gashi: Nashta edhe qatje s’na akuzoni!

    Avokatja: Ato janë pjesë e Ylberit

    Prokurorja: Po de, po ky qe ka punu bashkë me Ylberin krejt qito sene që jon të shita i din!

    Avokatja: Ky e ka autorizimin unë kom qenë në Polici kur ja kanë lype atë dite autorizimin qaty ja kane gjete të noteri!

    Afrim Gashi: As Ylberi, as Ylberi as unë s’kena punu kurgjo! Nana e vet ka punue në këtë drejtim

    Prokurorja: Jo, nana e vet ajo plakë s’ka mujt me shku me i ndreq letrat! Ajo veç e ka qitë një shej qatu të gishtit!

    Afrim Gashi: i ka pas njerëzit.

    Kështu, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Afrim Gashi ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”,  nga neni 398, par.1 lidhur me par.2 dhe veprën penale të “Mashtrimit” 335, par.1 lidhur me par.5 e lidhur me nenin 77 në bashkëkryerje me të dyshuarin Borko Bosliq dhe personat NN.

    Prokurorja Nebahate Salihu, kishte pushuar hetimet bazuar në këtë zarf të ardhur përmes postës DHL.

    “Betimi për Drejtës”, në hulumtim kishte treguar se si prokurorja Salihu, përgjigjen zyrtare të arkivit serb të marrë përmes bashkëpunimit policor (ILECU) nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.

    Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.

    Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.

    “Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.

    Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.

    Gjithashtu, thuhej se ata janë përgjigjur njëherë përmes ILECU, ku edhe kanë thënë se këto dokumente nuk gjenden në arkivat e tyre.

    Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.

    Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.

    Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.

    “Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.

    Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.

    “Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.

    Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.

    Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku.

    Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.

    Prokuroria e Apelit kishte kthyer rastin në rivendosje, ndërsa pas përjashtimit të prokurores Salihu, prokuror është caktuar Kushtrim Zeka. Edhe ky i fundit, kishte mbyllur hetimet, me arsyetimin se falsifikimin mund ta këtë kryer tanimë e ndjera Zojë Hyseni, duke përjashtuar mundësinë e përfshirjes se djalit të saj Ylber Hysenaj dhe të dyshuarit tjetër Afrim Gashi.

    Prokurori Zekaj, në aktvendimin për pushimin e hetimeve gjithashtu nuk kishte dhënë përgjigje për rastin e zarfit të ardhë nga Serbia, i cili po ashtu dyshohet se është falsifikuar, duke e trajtuar si lëndë të ndarë.

    Por, Prokuroria e Apelit ka kthyer prapë rastin në rivendosje duke konstatuar se vendimi i Themelorës ishte jo i arsyetuar mirë dhe i përgjithshëm, duke mos dhënë arsye konkrete pse të dyshuarit nuk janë gjetur përgjegjës.

    Gjithashtu, Apeli kërkon që në ri-procesim të rastit, Themelorja të verifikojë pse ka mospërputhje me përgjigjes se dhënë përmes ILECU, dhe përgjigjes se dërguar me postë. Duke kërkuar që të vërtetohet vërtetësia e tyre dhe gjitha dokumentet dhe kërkesat të pranohen përmes rrugëve zyrtare.

    Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

    Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.

    Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.

    Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.

    Pas ankesës, në 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.

    Pra, kolegjet vendosën për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve 60-ta të nxjerra asokohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.

    Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

    Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

    Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.

    Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.

    Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari i vetëm.

    Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.

    Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

    Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere tëdyshimta dhe shmangie nga tatimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark