
Një incident shqetësues ka ndodhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku dy mjekë të Klinikës së Urologjisë janë përleshur fizikisht për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth planifikimit të operacioneve, raporton Insajderi.
Sipas burimeve të gazetës, në konflikt janë përfshirë mjekët Sabri Hyseni dhe Sabit Mehmeti, të dy të punësuar në Klinikën e Urologjisë.
Në lidhje me rastin, Insajderi ka kontaktuar edhe menaxhmentin e QKUK-së për të kuptuar çfarë masash janë ndërmarrë ndaj mjekëve të përfshirë.
Zyrtarja për informim e SHSKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka konfirmuar incidentin dhe ka bërë të ditur se rasti është tashmë nën hetim nga Policia e Kosovës.
Ndërkohë që masat nga menaxhmenti pritet të merren pas konfirmimit të plotë të informatave.
“Ju konfirmojmë se në Klinikën e Urologjisë ka ndodhur një incident, i cili është raportuar edhe në Polici. Aktualisht, Policia e Kosovës është duke u marrë me hetimin e rastit. Ndërkohë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) do të ndërmarrë procedurat e brendshme ligjore menjëherë pas pranimit të informacioneve të plota dhe të konfirmuara lidhur me rastin”, tha Qyqalla.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është iniciuar një rast si “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Në Stacionin Policor jugu në Prishtinë është iniciuar një rast sulmi ndaj personit zyrtar, që ka ndodhur rreth orës 08:00, në QKUK. Lidhur me rastin janë intervistuar dy personat e përfshirë. Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorinë”, deklaronte Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës.
Theksojmë se raste të ngjashme të shkeljeve të etikës dhe trajtimit të kolegëve në mënyrë të papërshtatshme janë raportuar edhe në klinika të tjera të QKUK-së.
Përkundër akuzave të ngritura nga Prokuroria ndaj drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, dhe shefit të Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë, Edmond Haliti, për cenim të të drejtave në marrëdhënie pune ndaj kolegut të tyre Imri Jashari, të njëjtit vazhdojnë të ushtrojnë detyrat pa asnjë pengesë./Insajderi