
Nga një Albin Kurti që ironizon me liderët e partive të tjera në një stil të butë cinik – në një Albin Kurti që, kur i konvenon, u ofron marrëveshje politike të njëjtëve që më herët i ka përqeshur publikisht. I tillë ishte rasti edhe me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn.
Kurti, i cili prej më shumë se 50 herësh nuk po arrin t’i sigurojë numrat për konstituimin e Kuvendit, gjatë të hënës (21 korrik) bëri me dije se i ka bërë ofertë Limajt.
“I kemi bërë ofertë Nismës. Në këtë fundjavë do ta dimë nëse ka marrëveshje apo jo”, deklaronte ai.
Madje, në një rast tjetër, sigurisht – pas zgjedhjeve, Kurti deklaronte se Nisma duhet të jetë parti simotër me VV-në.
“Është lajm që Fatmir Limaj, Komandant Çeliku u kthye në Kuvend, që Nisma Socialdemokrate, që duhej të jetë parti simotër me VV-në, i ka tre deputetë në Kuvend”, deklaronte ai.
Por vetëm disa javë më parë, gjatë fushatës zgjedhore, ai tallej me Nismën dhe Fatmir Limajn – madje në vendlindjen e këtij të fundit, në Malishevë.
“Të dashur qytetarë të Malishevës, dikush as pragun nuk e kalon. Malisheva kurrë nuk ka luftuar për pak. Malisheva kurrë nuk voton për prag“, deklaronte me ironi Kurti nga foltorja ku po mbante fjalimin elektoral.
Kjo nuk është hera e parë që Albin Kurti fillimisht përçmon një parti politike, për t’u kthyer më pas me ftesa për bashkëpunim, zakonisht kur i duhen votat.
Nga burime të besueshme është bërë me dije që Limaj i ka kërkuar Kurtit postin e kryetarit të Kuvendit dhe jo vetëm, ndërkohë Kurti është mësuar se i ka ofruar dy ministri.
Megjithatë, mbetet të shihet gjatë kësaj fundjave nëse Limaj do ta pranojë ofertën e Kurtit apo do t’a refuzojë.
Para Nismës dhe Fatmir Limajt, Kurti i ishte drejtuar me një ofertë bashkëpunimi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Por, Abdixhiku kishte refuzuar prerazi çdo mundësi për një marrëveshje politike me Kurtin.
/Insajderi