
Katër vdekje përbrenda një periudhe të shkurtër kohore kanë ndodhur në vendin e punës. Tri nga këto ndodhën si shkak i mungesës së sigurisë në punë në sektorin e ndërtimtarisë. Ndërkaq një për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të punëtorit të ndërtimit në periudhën kur Kosova po përjeton valën e katërt të nxehtësisë, me temperatura që po mbizotërojnë deri në 40 gradë. Për dy kryeinspektorë përgjegjës direkt për institucionin të drejtat e punëtorëve gjatë mandatit Qeverisë Kurti ka pasur ankesa qoftë nga KPMSCHK, ashtu edhe nga gjykatat. Gazeta Insajderi ju sjell një pasqyrim të situatës së “shefave” të Inspektoratit Qendror të Punës dhe gjendjes në këtë inspektorat përgjatë mandatit të qeverisë aktuale në detyrë:
Dy punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë humbën jetën në vendin e punës në Gjakovë të hënën. Prokuroria Themelore në Gjakovë në gjetjet e saj tha se tashmë të ndjerëve nuk iu ishte ofruar siguri në vendin e punës. Për ta specifikuar më shumë, Prokuroria tha se të dy punëtorët po shkelnin në një dërrasë të montuar jashtë kushteve teknike.
Prokuroria më tej bën të ditur se viktimat s’kishin pasur jelek dhe helmeta mbrojtëse, as s’kishin vendosur litar për siguri, as skele të vendosura, e as parmak mbrojtës.
LEXO EDHE:
“Viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor përkatësisht kishin qenë në shkelësen e dërrasës së montuar jashtë kushteve teknike duke bërë demolimin e dërrasave të jashtme të betonit për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë nga toka prej nëntë (9)metra, të cilët gjatë punës nuk kishin jelek dhe helmeta mbrojtëse e as nuk kishte të vendosur litarin për siguri, si dhe vendi nga ku kanë rënë viktimat nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës që nuk do të lejonte që punëtorët të bie në tokë, me ç’ rast si pasojë e rrëzimit në vendin e punës dhe lëndimeve të marra të dy kanë humbur”, bëhet e ditur në kërkesën e prokurorisë.
Gjykata në Gjakovë vendosi t’ua caktojë masën e arrestit shtëpiak Xheladin Pozhegut dhe Albert Margegaj, të dy biznesmenëve, njëri investitor e tjetri inxhinier, për këtë rast.
Vetëm një ditë më pas, Robert Veliu, 44-vjeçar, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë humbi jetën në Skenderaj si pasojë e problemeve shëndetësore. Nga kompania “Rroni-t Group” ku Veliu ishte punonjës i nënkontraktuar, thanë se humbi jetën si pasojë e problemeve shëndetësore.
Para pak javësh, jetën në vendin e punës e humbi edhe një punëtor nga Istogu. Si pasojë i plagëve të rënda të marra në punë, ishte dërguar në QKUK për trajtim. I njëjti më pas kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Institucioni përgjegjës për të drejtat e punonjësve, shprehu para së gjithash shqetësimin lidhur me “statistikat e gabuara” që dolën në media lidhur me numrin e vdekjeve në vendin e punës gjatë këtij viti.
“Nga janari deri më sot kanë ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë“, thuhet në një komunikatë të tyre të lëshuar të martën.
Ndërkaq ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pati një reagim të ngjashëm me institucionin që i përgjigjet atij, duke u kujdesur për shifra. U sigurua të theksonte se Qeveria Kurti ka thyer rekorde edhe në fatkeqësi: Në numrin e ulët të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës.
“Me masat që i kemi marrë vitin e kaluar, ka qenë numër rekord i ulët i vdekjeve në vendin e punës”, tha Murati, duke u futur në seancën e 51-të e cila u ndërpre pa u hedhur në votim çështja e kryeparlamentarit.
Fjalëhiç e të distancuar nga përgjegjësia u panë edhe akterë të tjerë të pushtetit në detyrë, që vijnë nga një subjekt politik me orientim ideologjik që avokon me ngulm për të drejtat e punëtorëve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, s’foli fare për çështjen e fatit të punëtorëve, sikurse edhe ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla. Por, fjalën e mori deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba. Ky i fundit tha se ndjehet keq por jo edhe përgjegjës për incidentet e ndodhura në vendin e punës.
“Përgjegjës për çka? Ka institucion përgjegjës nëse ka ndodh diçka. Po ndjehem keq për atë që ka ndodhë, por përgjegjës janë tjetërkush, jo na. Na si deputet me ndërmarrë… me e kry obligimin tonë, me ardhë në seancë“, deklaroi Zyba.
Murati para seancës po ashtu akuzoi edhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), për pengesa në përzgjedhjen e kryeinspektorit të ri të punës.
Kritika e Muratit dhe e vërteta e institucionit për të drejtat e punëtorëve, diametralisht të kundërta
Murati i Vetëvendosjes, gjithsesi, kishte vet-vendosur që ta caktojë të njëjtin person në këtë pozitë, përkundër gjetjeve për shkelje.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet në këtë institucion, duke përfshirë këtu edhe komunikime të brendshme, ku i kërkohej Plakollit që të e lëshonte karrigen e Kryeinspektorit, por edhe ai si ish-Kryeinspektori, Hekuran Nikçi refuzonin.
Në bazë të disa emaileve që i kishte parë Insajderi, Rizah Plakolli, i kishte dërguar imellë zv.kryeinspektorit për punë dhe siguri, duke i thënë se, nuk largohet nga pozita e tij derisa nuk ka ndonjë vendim që shfuqizohet vendimi me të cilin është emëruar.
“Emailet që jeni duke e i dërguar janë tendencioze dhe njëkohësisht përbëjnë edhe shkelje për arsye se po kaloni kompentencën tuaj , ju njoftoj së unë jam i emëruar Ud.Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës me Vendimin MFPT Nr.protokolli 701/2025 të datës 06.03.2025, po ashtu po ju njoftoj se mua si Ud.Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës nuk më është prezantuar asnjë Vendim që është nxjerr nga Ministri i Financave Punës dhe Transfereve siç e parasheh Neni 35 i Ligjit për zyrtarë Publik (Në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, nëpunësja/i i nivelit të lartë drejtues e atij institucioni e cakton me vendim ushtruesen/in e detyrës për pozitën e lirë).
Prandaj për derisa nuk keni një vendim të till me të cilin do të shfuqizohet Vendimi me të cilin jam emëruar unë dhe/ose do të emëroj një person tjetër shkresat dhe emailet e juaja janë tendecioze, shantazhuese ndaj stafit dhe përbëjnë tejkalim të kompetencave tuaja si zv.Kryeinspektor për Siguri në Punë, po ashtu ju njoftoj se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil në Kosovë nuk bën emërimet në pozita të larta drejtuese”, shkruante Plakolli.
Tutje, emaileve të Plakollit iu ishte përgjigjur, Agim Millaku, zëvendës i Drejtorit Ekzekutiv për Siguri në Punë.
Sipas përgjigjes së Millakut, Rizah Plakolli nuk ka vendim të kryej detyrat dhe përgjegjësit në pozitën ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv në IQP-së.
“Të nderuar/a Po ju njoftoi se Organi i Kuvendit të Kosovës- KPMSHCK (Këshilli Për Mbikëqyrje në Shrbimin Civil të Kosovës) me datë 22.04.2025 ka nxjerr Vendimin A.nr. 432/2025 me të cilin e ka shfuqizuar vendimin e Ministrit të MFPT Nr.protokolli 701/2025 të dates 06.03.2025 me të cilin vendim ka qenë caktuar UD I Drejtorit Ekzekutiv në IQP z.Rizah Plakolli. Meqë tani z.Rizah Plakolli nuk ka vendim të kryej detyrat dhe përgjegjësit në poziten UD të Drejtorit Ekzekutiv në IQP-së, atëherë po ju njoftoi se bazuar në Ligjin Nr.2002/9 për Inspektoratin e Punës në Kosovë, Ligjin Nr.06/L-113 për Organizimin e Administratës Shtetrore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin Nr.08/L-197 për Zyrtar Publik dhe Vendimin e Organit kompetent, për qëllim të mos lënies së zbraztive institucionale , unë Agim Millaku në poziten e zëvendësit të Drejtorit Ekzekutiv në IQP e mbuloi këte funksion deri në plotësimin e pozitës së lire. Ju lutem ta respektoni detyrimin e juaj ligjor në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në punë. Me respekt! Agim Millaku Zëvendës I Drejtorit Ekzekutiv për Siguri në Punë”, thuhet në përgjigje.
Pavarësisht se KMSHCK konstatoi se Murati shkeli katër ligje kur e emëroi atë, Plakolli po vazhdon ta mbajë pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeinspektorit.
Kjo s’është hera e parë që Qeveria Kurti e kishte shkelur ligjin me një kryeinspektor.
Hekuran Nikçi për më shumë se dy vjet, e mbajti paligjshëm pozitën e Kryeinspektorit të Punës. Ai u emërua me vendim në këtë pozitë, çka Gjykata Themelore, Apeli dhe Supremja, konstatuan se ky emërim ishte i jashtëligjshëm, pasi duhej të shpallej konkursi.
Nikçi ishte arrestuar nga organet e drejtësisë për keqpërdorim detyre.
Në dosjen që siguronte Insajderi, thuhet se ai kishte keqpërdorur autoritetin e tij, duke i ndryshuar F.K. pozitën e punës, madje duke mos i dhënë mundësinë as të paraqiste ankesë për vendimin e marrë kundërligjshëm nga Nikçi. Për këtë veprim, sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Po ashtu, kur zëvendëskryeinspektori kishte vendosur që F.K. të kthehej në vendin e tij të punës, vend që e kishte ushtruar para vendimit të Nikçit, ky i fundit e kishte anuluar vendimin e zëvendësit të tij, Agim Millakut. Si pasojë, prokuroria thoshte se ai ka kryer veprën penale “cënim i të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Nikçi, po ashtu, akuzohej për përdorim të paautorizuar të pasurisë së paluajtshme që i ishte besuar për shkak të pozitës që ushtronte, për përdorim të vulave, dokumentacioneve dhe mjeteve të tjera të punës.
Lidhur me gjendjen në Inspektoratin e Punës, ishte deklaruar edhe Nexhat Fazliu në një intervistë për Gazetën Insajderi. Nikçi kishte vendosur që ta suspendonte. Fazliu, i cili ka qenë gjatë kryeinspektor në zyrën regjionale të Mitrovicës, kishte përshkruar gjendjen përbrenda Inspektoratit të Punës. E kishte cilësuar si “mangup” ish-kryeinspektorin kryesor, Nikçin.
Po ashtu, kishte deklaruar se inspektorët s’kanë as mjete pune që të inspektojnë sektorin e ndërtimit.
“Është për ironi, janë dispozitat për sigurinë në punë që rregullojnë këtë çështje, që obligojnë të gjitha subjektet qoftë private dhe ato publike, në këtë rast institucionin tonë, mirëpo Hekuran Nikçi prej se ka ardhë ky që së pari t’iu sigurojë zyrtarëve të vetë kushte pune. Më e vogla është aparati apo ndihma e parë. Inspektorët tek ne janë të punësuar me vite të tëra dhe ende s’kanë karrige për t’u ulur, s’kanë tavolina pune, s’kanë kompjutera, e lëre më aparat për fikje zjarri”.
“Për të hyrë inspektori në një sektor të ndërtimtarisë ai së pari vetë duhet t’i ketë këto pajisje, gjë që Inspektorati i Punës nuk i ka, nuk i ka siguruar dhe nuk i ka planifikuar në buxhet. Ky personi përveç që është skandaloz, mangup, ky ka qenë edhe i padijshëm. Ka penguar institucionin tonë të zhvillohet dhe t’i krijojë kushtet e punës. Vetë mënyra e operimit të tij, ai s’ka ni për vendime të gjykatës, e le më të KMSHCK-së, ai person ka mendu se është shumë i fuqishëm. Ai mendojke se mua më ka emëruar kryeministri dhe siç e thotë në deklaratën e tij, ku ai faktikisht vetëm sa nuk thotë unë nuk nij për vendime të gjykatave, sepse mua më ka emëruar kryeministri”, kishte thënë tutje Fazliu.
IQP’ja po vazhdon të jetë pa kryeinspektor tash e sa muaj, kurse Murati vazhdon ta akuzojë KMSHCK’në për zvarritje të këtij konkursi. /Insajderi.org/