Plagosja me 14 plumba në Dragodan, zbulohet motivi i përplasjes së djalit të biznesmenit me “Arushën” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Plagosja me 14 plumba në Dragodan, zbulohet motivi i përplasjes së djalit të biznesmenit me “Arushën”

    Insajderi
    25 July 2025 - 16:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një plagosje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në lagjen ‘Arbëria’ e njohur si Dragodani në kryeqytet.

    I plagosur mbeti Behar Halili, i njohur me nofkën “Arusha”, ndërkohë i dyshuari për plagosje është djali i biznesmenit Halil Hasani, Erjon Hasani.

    Por, si erdhi deri tek ky moment dramatik?

    Gazeta Insajderi nga burime të mirëinformuara ka mësuar se arsyeja e konfliktit është hakmarrja.

    23 vjeçari Erjon Hasani, djali i biznesmenit ishte rrahur muaj më parë nga “Arusha” dhe klika e tij.

    Si rrjedhojë, Hasani ishte zotuar se do të merrte hak, andaj në mbrëmjen e 24 korrikut, ai ka shkuar në lokalin ku “Arusha” dhe grupi i tij e frekuentojnë, duke gjuajtur plot 14 herë.

    Për pasojë, Behar Halili ka mbetur i plagosur, i njëjti është duke u trajtuar në QKUK.

    Ndërsa Hasani pas aktit është dorëzuar në polici.

    Policia ka konfirmuar se ndaj të njëjtit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Vrasja në tentativë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

    Policia, po ashtu ka konfirmuar se gjatë procedurës hetimore, nga i njëjti është sekuestruar një armë zjarri e llojit “Sig-Sauer”, me një karikator dhe tre fishekë – armë kjo që dyshohet se është përdorur në rastin në fjalë.

    Çka dihet tjetër?

    Behar Halili, i njohur si “Arusha”, është një person i njohur për organet e rendit.

    Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, Halili ishte i përfshirë edhe në disa raste të mëparshme, përfshirë një incident të rëndë të ndodhur në vitin 2024, ku pati përdorim të armës së zjarrit.

    Në atë rast, përveç Halilit, të përfshirë ishin edhe Mentor Beqiri dhe Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri”.

    Në anën tjetër, emri i babait të Erjon Hasanit, Halil Hasani, është përmendur në raste të kontrabandës e vdekjes së një punëtori, ku bashkëpronar figuronte edhe ai.

    Një 40-vjeçar, Fatlum Haradini, kishte mbetur i vdekur në vendin e tij të punës, pasi ishin zënë nga shembja e dheut në rrugën “Gjilani” në Veternik.

    Kompania e cila po ndërtonte në këtë vendpunishte ishte “Alb Dizajn” SH.P.K. nga Podujeva, ndërsa i ndjeri ishte punëtor i kompanisë “Izolimi Trade”, e cila po i kryente punimet në objektin e “Alb Dizajn”.

    Në mesin e aksionarëve, kompania figuronte e regjistruar edhe në emër të babait të Erjonit, Halil Hasanit.

    Ndërkohë, emri i tij ishte përmendur edhe në rastin e kontrabandës, që asokohe lidhej kryesisht me pjesën veriore të Kosovës.

    Mediat raportonin në vitin 2012 se EULEX-i, në mesin e gjashtë personave kishte arrestuar edhe Halil Hasanin në një operacion në kuadër të hetimit në lidhje me krim të organizuar, kontrabandë me mallra, evazion tatimi, shmangie mashtruese të taksave importuese dhe pastrim parash./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark