
Segmenti rrugor i magjistrales Ferizaj–Gjilan, që kalon nëpër fshatin Ramjan, ndodhet në një gjendje të rënduar infrastrukturore, duke paraqitur rrezik serioz për qarkullimin e lirë dhe të sigurt të qytetarëve.
Sipas drejtorit ekzekutiv të OJQ-së Avonet, Kenan Gashi, mungesa e mirëmbajtjes së vazhdueshme ka sjellë degradimin e kësaj rruge, e cila ndonëse është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vazhdon të lihet pas dore.
“Rruga jo vetëm që po dëmton automjetet e qytetarëve, por po pengon lëvizjen e përditshme të banorëve dhe po rrezikon sigurinë në komunikacion. Kjo situatë është e papranueshme”, u shpreh drejtori i Avonet.
OJQ Avonet kërkon nga institucionet përgjegjëse që të marrin masa urgjente për intervenim dhe rikonstruktim të këtij segmenti, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejmë dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.