
Qeveria në detyrë e Kosovës ka emëruar sot Hysen Muzliukajn në krye të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, përkundër se ndaj tij rëndojnë akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Emërimi i tij është bërë në mbledhjen e fundit të qeverisë, ku ministri Xhelal Sveçla tha se Muzliukaj do ta udhëheq këtë institucion me mandat katërvjeçar.
Muzliukaj, i njohur si ish-këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe ish-drejtor komunal në Mitrovicë gjatë mandatit të Agim Bahtirit, ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 nga Prokuroria Speciale, së bashku me ish-nënkryetarin e Mitrovicës, Faruk Mujkën.
Ata u ndaluan për dyshime për përfshirje në korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Në atë kohë, Prokuroria kishte njoftuar se ndaj Muzliukajt ishte lëshuar urdhër për bastisjen e banesës, ndërsa ai u lirua një ditë pas arrestimit për t’u mbrojtur në liri.
Përkundër këtyre zhvillimeve dhe hetimeve të hapura, ai sot është emëruar në krye të njërit prej institucioneve kyçe të zhvillimit të administratës publike në vend.