
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po ndërmerr përpjekje të vazhdueshme për ta destabilizuar situatën në Kosovë.
Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe arrestimet e fundit të kryera nga organet e rendit në Kosovë, përfshirë atë të Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyra për Kosovë në qeverinë e Serbisë, i cili u arrestua më 18 korrik nën dyshimet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit ndëretnik.
Sipas kryeministrit në detyrë, institucionet e Kosovës kanë siguruar prova si incizime të paligjshme gjatë procesit të dialogut në Bruksel.
“Institucionet tona kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim – BIA dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj. Ndër to përfshihet edhe incizimi ilegal i bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat janë zhvilluar në Bruksel në objektin e Bashkimit Europian në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi,” tha Kurti.
Igor Popoviq ishte ndaluar fillimisht për shkak të deklaratave gjatë një tubimi në Rahovec, ku kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” – deklaratë që kishte shkaktuar reagime të ashpra dhe që përbënte bazën për hetime të mëtejshme.