
Merjem Abdulaziz Mahmud Davas, një vajzë 9-vjeçare nga Qyteti i Gazës, është bërë simbol i tragjedisë humanitare që po zhvillohet në enklavën palestineze si pasojë e sulmeve të pandërprera izraelite dhe bllokadës së ndihmave, pasi aktualisht nuk mund të ecë për shkak të problemeve të lindura nga kequshqyerja.
Ajo dhe familja e saj janë strehuar në një qendër për të zhvendosurit në qendër të qytetit pasi kanë humbur shtëpinë në bombardime.
Merjemja peshonte 25 kilogramë para ofensivës, por për shkak të mungesës së ushqimit dhe kushteve të vështira, pesha e saj ka rënë në vetëm 10 kilogramë.
Mjekët në spitalin lokal, pas analizave të kryera, konfirmuan se ajo nuk vuan nga ndonjë sëmundje organike, por se gjendja e saj është pasojë direkte e urisë dhe mungesës totale të ushqimit të mjaftueshëm.
Familja e Merjemes i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ajo të evakuohet urgjentisht për trajtim jashtë Gazës dhe të sigurohet ushqim i përshtatshëm për mbijetesën e saj.
Ndërkohë, situata në Rripin e Gazës vazhdon të përkeqësohet për shkak të bllokadës, me mijëra fëmijë në rrezik të ngjashëm. /AA/