
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se të gjithë anëtarët e saj, “nga çerdhet e deri në nivelin universitar”, do të jenë pjesë e protestës të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e e UÇK-së.
Protesta do të mbahet më 7 gusht, nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku pritet të dëgjohet “zëri i fuqishëm” i qytetarëve dhe punëtorëve të arsimit, në përkrahje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Në njoftimin e SBASHK-ut thuhet se pjesëmarrja masive e punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës është një mesazh i qartë se sakrifica nuk harrohet.
Njoftimi i plotë:
SBASHK-u: Me 7 gusht, në sheshin “Skënderbeu”, zëri ynë i bashkohet zërit të së vërtetës dhe drejtësisë!
04.08.2025
Anëtarët e SBASHK-ut, nga çerdhet e deri në universitete, do të jenë pjesë e protestës madhështore paqësore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e lavdishme e UÇK-së.
Më 7 gusht, ora 17, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të dëgjohet zëri ynë i fuqishëm, në përkrahje të bijve më të mirë të kombit, që padrejtësisht po mbahen prapa grilave në Hagë.
Pjesëmarrja e gjerë e punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës në këtë protestë është një mesazh i qartë: ne nuk harrojmë sakrificën!
Falë atyre që sot padrejtësisht ndodhen në qeli, ne sot gëzojmë lirinë, ecim të lirë në shtetin tonë dhe edukojmë brezat për atdhedashuri e drejtësi. SBASHK-u ngre zërin për drejtësinë, për lirinë dhe për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë.