
Përveç kolonelit të Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi, Prokuroria në Prizren, e udhëhequr nga kryeprokurori Petrit Kryeziu, ka vënë në pranga edhe një ish-zyrtar të patentë-shoferëve në këtë qytet.
Për veprën penale të detyrimit, është arrestuar edhe Ramadan Paçarizi, i njohur me nofkën “Dani”.
“Dani” është axha i biznesmenit të njohur në Prizren, Granit Paçarizi, i cili njihet për lidhjet e tij me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Granit Paçarizi është arrestuar ditë më parë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Sipas burimeve të Insajderit, Krasniqi dhe tre persona të tjerë dyshohet se i kanë marrë 30 mijë euro një viktime në mënyrë të kundërligjshme.
Aksioni për arrestimin e tyre është zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit. Janë bastisur katër lokacione dhe janë arrestuar katër persona.
“Ndër të arrestuarit është edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me gradën kolonel…”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Me vendim të IPK-së, Nexhmi Krasniqi është suspenduar nga detyra.