
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është “thellësisht shqetësuese” që në rastin që ajo e konsideron ndoshta më të rëndësishmin e kësaj dekade, është caktuar si gjyqtar raportues Radomir Laban, i cili nga institucionet e sigurisë është vlerësuar si rrezik për sigurinë kombëtare, shkruan Insajderi.
Ajo theksoi se caktimi i gjyqtarit mbetet në diskrecion të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sistemit elektronik që ekziston.
“Mesazhi që dua të përçoj është pikërisht ai që kam thënë deri tash. Kjo nuk ka të bëjë me vlerësimet apo perceptimet e mia si presidente, por me informata zyrtare që institucionet e sigurisë i kanë dorëzuar tri herë radhazi para institucioneve të tjera: në vitin 2018 nga një drejtor i institucionit të sigurisë, më pas në vitin 2021 nga një udhëheqje tjetër, dhe në vitin 2024”, tha ajo.
“Për ne është thellësisht shqetësuese se si përkundër ndarjes së këtyre informatave, që e vlerësojnë atë si rrezik për sigurinë kombëtare, në rastin ndoshta më të rëndësishëm të kësaj dekade, i cili prek jo vetëm institucionet ekzistuese, por edhe ato të së ardhmes, të caktohet si gjyqtar raportues një person për të cilin ekzistojnë informata të tilla”, shtoi Osmani.
Presidentja kishte kërkuar nga Kushtetuesja që të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese” lidhur me moskonstituimin dhe pasojat juridike të kalimit të afatit, të cilat mund të jenë “të pariparueshme”.