
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka dalë me një deklaratë të ashpër publike, ku pretendon se ka zbuluar një “marrëveshje korruptive” brenda Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke publikuar edhe një e-mail që sipas tij e vërteton këtë.
“Më 6 gusht 2025, kam pranuar në mënyrë të paqëllimshme një email që ishte dërguar në adresën time gabimisht. Pas shqyrtimit të tij, identifikova probleme serioze lidhur me mundësinë e shkeljes së Ligjit për RTK”, shkruan Halili.
Ai thotë se “emaili, i dërguar në kuadër të një strukture të brendshme të RTK-së, përmbante udhëzime të detajuara nga Udhëheqësja e Zyrës Ligjore në RTK, për ta favorizuar një subjekt privat (produksion i jashtëm) duke e udhëzuar atë mbi mënyrën e përgatitjes së aplikimit dhe përmbajtjen e kërkesës për aplikim në RTK”.
Halili thekson se “në këtë rast nuk ka pasur konkurs, çka përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur”.
Ai kujton se neni 12 i Ligjit për RTK përcakton se “produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes konkursit publik”.
Ky veprim, sipas tij, është “veçanërisht shqetësues në rrethanat kur RTK po përballet me sfida të mëdha financiare dhe punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit korrik.”
Drejtori i Radio Kosovës shton se edhe mënyra e pagesës së subjektit të favorizuar është e dyshimtë: “Edhe kompensimi përmes sekondave të marketingut pa një proces të hapur e konkurrues është po ashtu i paligjshëm”.
Sipas Halilit, nga të dhënat zyrtare “ky subjekt ka përfituar mbi 2.2 milionë euro nga RTK përmes marrëveshjeve të dyshimta antiligjore, madje edhe pa procedurat e rregullta të prokurimit publik”.
Në fund, ai lëshon akuza të drejtpërdrejta: “Kumara i kësaj ngjizjeje korruptive së bashku me tuxharën mediale në Kosovë, në tentativë për ta konkretizuar marrëveshjen korruptive, janë bërë bashkë në përpjekje për ta njollosur publikisht emrin tim përmes disa postimeve në media sociale dhe platforma të tjera”.
Halili paralajmëron se “përgjigjen dhe sqarimet e plota rreth këtyre përpjekjeve do t’i trajtoj në mënyrë të detajuar në episodin e ardhshëm të komunikimit tim publik”, duke shtuar se “qëndron i përkushtuar për të garantuar ligjshmëri, transparencë dhe mbrojtje të interesit publik në çdo proces që përfshin transmetuesin publik”.