Sveçla urdhëron IPK-në të hetojë policët që mund të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Sveçla urdhëron IPK-në të hetojë policët që mund të jenë përfshirë në veprimtari kriminale të Mefail Shkodrës

    Insajderi
    11 August 2025 - 16:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të fajdexhiut nga Gjilani, Mefail Shkodra, së bashku me dy djemtë e tij, shkruan Insajderi.

    Ai është shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e trefishtë të ndodhur të dielën në mesditë në qytetin e Gjilanit.

    “Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla.

    Postimi i plote:

    Brenda kompetencave të mia kam urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

    Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim dhe mbështes çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që siguron institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve tanë.

    Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë.

    Pres që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat tjera të sistemit, veçanërisht drejtësinë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë dhe të zhvillohen në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark