
Një konflikt i nisur si mosmarrëveshje mes dy personave në lagjen “Tusuz” të Prizrenit përfundoi tragjikisht të dielën mbrëma, kur njëri prej tyre u vra me thikë. Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin E.B., i cili akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe “posedim të paautorizuar të armës”.
Ngjarja ndodhi më 10 gusht 2025, rreth orës 20:30, në rrugën “Lapidari”. Sipas hetimeve paraprake, konflikti mes E.B. dhe viktimës H.Sh. kishte filluar më herët, por atë mbrëmje u përshkallëzua në mënyrë fatale. Të dy kishin dalë me qentë e tyre, të cilët thuhet se i nxitën në përleshje. Pas një fjalosjeje të shkurtër mes tyre, E.B. dyshohet se nxori një thikë dhe e goditi H.Sh., duke i shkaktuar plagë të rënda.
Viktima u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Përveç akuzës për vrasje të rëndë, E.B. po hetohet edhe për mbajtjen e armës pa leje, përkatësisht thikës që përdori në krim.