
Një ngjarje groteske po zhvillohet në Tiranë. Biznesmeni Irfan Hysenbelliu po përdor gazetarët (katër muaj pa rroga dhe dy vjet pa siguracione) në rezistencën e tij, për të mos liruar disa ambiente publike në Shkozë, të cilat i ka shfrytëzuar prej dy dekadash si zyra për grupin e tij mediatik, përfshirë edhe televizionin News 24, përmes një kontrate klienteliste qiraje, të cilën nuk e ka zbatuar asnjë ditë.
Përballë një vendimi gjykate të formës së prerë, i cili urdhëron që Irfan Hysenbelliu duhet të lirojë godinën e shtetit, biznesmeni ka zgjedhur të fshihet pas zhurmës mediatike se po cënohet liria e medias, po groposet fjala e lirë, se po grabiten dosjet e korrupsionit që do shembnin qeverinë, madje duke nxjerrë gazetarët në protestë para godinës shtetërore, për të cilën kontrata e qirasë i ka mbaruar që në vitin 2022.
(Teksa 13 mijë m2 pronë publike i ka ‘blinduar’ deri në vitin 2033 kur Ben Ahmetaj ishte ministër Ekonomie, Fania e di se godinën tjetër publike, për të cilën ka një vendim gjykate për t’a liruar, nuk mund t’a përdorë më si ambient për televizionin e tij privat. Por skenari i ‘cënimit të lirisë së medias’ me gazetarë që urdhërohen të vajtojnë dhe madje të përplasen me policinë, Fania shpreson se mund t’a ndihmojë në një betejë të mundshme në Arbitrazh, duke iu referuar precedentit Becchetti, edhe pse rastet nuk kanë asgjë të përbashkët. Por zhurma artificiale mund të jetë edhe në funksion të mbajtjes së pasurisë tjetër publike, konvikti i Gjuhëve të Huaja, i grabitur nga Irfan Hysenbelliu, godinë që e ka kthyer në univesitet privat ‘Luarasi‘ pasi mori në zotërim 100 % të aksioneve).
Teksa gazetarët detyrohen të protestojnë në 40 gradë në funksion të planit të Arbitrazhit që i frynjnë në vesh derdimenët e SHQUP-it, çuni i Irfan Hysenbelliu, Fatmir Hysenbelliu, i njohur me ’emrin artistik’ Oni, po shijon pushimet në Sardenja të Italisë, një nga destinacionet turistike më të shtrenjta në Evropë.
Në zonën e Costa Smeralda të Sardenjas, qëndrimi për një natë kushton nga 400 euro deri në 2.5 mijë euro. Rezidenca ku po pushon Oni Hysenbelliu kushton rreth 1 mijë euro qëndrimi për një natë.
Djali i Irfan Hysenbelliut jo vetëm po shijon pushimet në Sardenja pas pushimeve në Ibiza, Miami, Amanera, Afrikë dhe Zvicër, por edhe u bën karshillëk gazetarëve që marrin rrogat një herë në katër muaj, duke ekspozuar luksin në rrjetet sociale.
Ndërkohë që gazetarët nxiten nga Fania të përplasen me policinë, nën pretekstin se po ndalohen të informojnë popullin dhe po u rrëmbehen dosjet sekrete, Fatmir Hysenbelliu shfaqet paradite në gomone, pasdite në jaht luksoz dhe në darkë me verërat e shtrenjta, të cilat duket se nuk i shijojnë pa ia treguar popullit që pret me padurim të informohet nga televizioni që po mbyt diktatura e Edi Ramës.
Një ditë pasi policia ndërhyri për të marrë në administrim ambientet shtetërore, në zbatim të vendimit të gjykatës, Fatmir Hysenbelliu u shfaq në Toarmina të Sicilisë, në përpjekje për të imituar përfaqësuesit e mafies (në veshje).
Nga Sicilia, çuni i Fanes bëri edhe një reagim për atë që po ndodhte në Tiranë, duke vënë theksin se sulmi po bëhej ‘ditën e shtunë, ditë pushimi‘.
Në mbrojtje të paligjshmërisë së Irfan Hysenbelliut është rreshtuar edhe e ashtuquajtura opozitë, e shquar për ‘kauzat morale’, pas të cilave sa vjen e rrudhet.
Si për ironi, teksa e ashtuquajtura opozitë u rreshtua në mbrojtje të biznesit të paligjshëm të Fanes në pronë publike, pushimet prej sheiku të Onit në Sardenja vijuan pa u trazuar nga ‘lufta’ në Tiranë.
Një shtëpi 20 milionë euro që mund të zgjidhte konliktin për zyrat e televizionit
Vite më parë, Fatmir Hysenbelliu ekspozoi shtëpinë me vlerë mbi 20 milionë euro në Tiranë, në katin e fundit të një pallati, ndërtuar pjesërisht pa leje nga babai i tij biznesmen, si hotelin ‘Prestige Resort’, me të cilin Fania bllokoi vijën bregdetare në Kavajë. Vlera e shtëpisë 20 milionë euro është pretenduar nga vetë Hysenbelliu, i cili ka miliona euro detyrime në tatime, të cilat nuk i shlyen në pritje të ardhjes së Ilir Metës në pushtet! Reportazhi u publikua nga mediat e Fanes, që nënkupton se ekspozimi dhe mburrja me vlerën e madhe kishte miratimin e tij.
Shtëpia përrallore, e cila shumë mirë mund të shërbente si ambient për të ushtruar aktivitetin e lirisë mediatike, përmban gjithçka; kinema, palestër, pishinë, fushë basketbolli, një minifushë futbolli, zonë për party, jakuzzi, sauna, hamam, gong, gardëroba të mbushur me veshje të markave më të njohura, restorant etj. (Vetëm libra jo).
Në një kohë kur disa gazetarë stresoheshin për rrogat që vonoheshin me muaj, për të paguar kredinë, dritat dhe ujin, në një kohë kur punonjësit e fabrikës Birra Tirana protestonin për pagat (fabrika është një tjetër pasuri publike e grabitur nga Irfan Hysenbelliu), i biri ekspozonte flotën e makinave luksoze; Bentely, Range Rover, Mercedes Benz G-class V8 Biturbo, Mcleren GT, Maserati, AMG, BMVi8, Mercedes Benz G-Class AMG 63, Rolls Royce etj., me vlerë miliona euro.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Irfan Hysenbelliu nuk ka paguar për 20 vjet qiranë për godinat publike, në të cilat ushtronte veprimtarinë e biznesit privat, përfshirë edhe lirinë mediatike. Nga Tatimet mësohet se nuk paguan prej dy vitesh as siguracionet e gazetarëve që po i përdor në luftën e tij të interesave pas prishjes në pazare me Edi Ramën. Por, paratë duket se nuk i kanë munguar për udhëtime sheikësh.
Fotot dhe lokacionet tregojnë se babë e bir, të pasuruar me para dhe prona publike, nuk kanë lënë vend të botës pa vizituar si; Sardenja, Ibiza, Monako, Dubai, Baku, Juan&Andrea, Miami, Formentera, Mykonos, Il Borro Tuscan Bistro Dubai, Londër, Marok, One&Only Portonovi, Eden Roc Cap D Antibes, Saint-Tropez, La Guérite – Cannes, Hamburg, Zvicër, Bullgari, Budapest, Hungari, Aura Skypool Dubai, Athinë, Maldives, Londër, Paris, Cairo, Casa Blanca, Cala Jondal, Curaçao, Republika Domenikane, Punta Cana, Barcelonë, etj.
Nuk jemi kundër të pasurve, por jemi kundër zhatjes së parave dhe pasurisë publike, duke përdorur median herë për lëpirje ndaj pushtetarëve të radhës, herë për shantazh, herë për t’u viktimizuar, herë për të mos paguar taksa dhe sigurime, grabitur dhe zaptuar pasuri publike, presion ndaj gjyqësorit për vendime në favor, herë si levë të kthyer që thyen vila, herë për afera korruptive, herë për pazare dhe gjithmonë për favore.
Irfan Hysenbelliu nuk ka lidhje as me median dhe as me biznesin e ndershëm. Fania është produkt i deformimit të demokracisë në Shqipëri, i raportit media-pushtet dhe i pushteteve keqbërës së pluralizmit.
Irfan Hysenbelliu bleu televizionin News 24 për 6.8 milionë euro, me një kredi bankare, të cilën nuk e pagoi kurrë. Me ndërhyrjen e Ilir Metës dhe Sali Berishës detyroi bankat të ndërmerrnin një ‘reformë’ duke i zeruar kredinë.
Në këmbim, u bënte temena 24 orë me televizionin dhe gazetat. Miliona euro kredi i janë zeruar nga bankat Irfan Hysenbelliut. Nuk dihet nëse kjo histori ka lidhje me ekzektutimin mafioz të bankierit Artan Santo 11 vite më parë, vrasje e cila çuditërisht është festuar nga Ilir Meta. Gjithsesi, mosmarrëveshjet mes Santos dhe Hysenebelliut, janë pranuar nga ky i fundit siç e tregon edhe ky dokument sekret.
Tre vjet pas vrasjes së Santos, grupi mediatik që e kishin 50 % me 50 %, kalon 100 % në pronësi të Irfan Hysenbelliut. Aksionet shiten nga vjehrri i Santos për 50 mijë lekë.
Para se t’i gllabëronte të gjithë biznesin ortakut që nuk jetonte më, në 2013 Fania futi në dorë edhe shkollën private Luarasi, të cilën e kishte blerë për 800 mijë euro bashkë me Santon.
Përmes Lulzim Bashës si kryetar bashkie dhe në formë korruptive, Fania përlau Konviktin e Gjuhëve të Huaja, pasi kishte bërë shumë kronika televizive për gjendjen e keqe të godinës publike. Nga ana tjetër, qeveria e Edi Ramës, në vitin 2018 ia ktheu shkollën private në universitet, që sot mban emrin Universiteti Luarasi, si Kristali që shkriu Edi Rama, por në godinë publike. Si dekan ka caktuar një nga ikonat e korrupsionit në universitete, i certifikuar në ‘Akademinë e LSI-së’.
Shteti shqiptar paguan miliona euro qira në vit për zyra, ndërkohë që godinat publike i ka zaptuar Irfan Hysenbelliu, i cili nuk paguan asnjë lekë qira dhe kur i mbaron kontrata ia nis këngës në vaji të lirisë së medias.
Universitet privat në ndërtesë publike. Shmangie taksash, evazion fiskal, ndërtime pa leje, 50 milionë euro para publike etj. ‘Lirinë mediatike’ me televizionin që ‘bleu’ pa futur dorën në xhep e ushtroi gjithashtu në godinat publike në Shkozë, ku për 20 vite nuk pagoi asnjë lekë qira. Madje, nxiti edhe disa ish pronarë që ngritën pretendime për një pjesë të truallit. Në këtë mënyrë, Fania stimuloi një proces gjyqësor ndaj shtetit, se pse i kishte dhënë pasuri publike me probleme pronësie, duke shmangur 2 milionë euro qera.
Përmes televizionit dhe gazetave arriti të hynte në pazare me ministra, duke marrë prona publike, leje ndërtimi, diktuar rrugë për tek bizneset e tij dhe përfituar dhjetëra milionë euro, me anë të shmangies së taksave dhe favorizimeve të tjera nga pushtetet. Historia e krimit ekonomik të Irfan Hysenbelliut nuk mund të kuptohet pa rolin e Sali Berishës dhe Edi Ramës, të cilët kanë mbyllur njërin sy në dëm të pasurisë publike dhe interesit të shtetit, duke shijuar lëpirjen dhe freskun e medias së tij.
Nuk mund të kuptohet as pa Ilir Metën, në burg për korrupsion dhe pastrim parash, i lakuar si pronari real i News24. Kjo tablo groteske do të ishte jo e plotë pa daljen e analistit me vilë Andi Bushati, i cili kritikon televizionet e tjera se pse nuk solidarizohen me ‘dramën’ e Irfanit!