
Lewis Hamilton u bashkua me Ferrarin nga Mercedes me pritshmëri të mëdha, por aventura e tij në Maranello nuk ka nisur siç pritej.
Britaniku 40-vjeçar nuk ka arritur të ngjitet në podium në 14 garat e para, gjë që ka ngritur dyshime të mëdha mbi të ardhmen e tij te skuadra italiane.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, Ferrari po shqyrton seriozisht mundësinë e zëvendësimit të Hamiltonit, dhe emri më i përfolur është ai i Carlos Sainz.
Ish-piloti i Ferrarit, i cili garoi për “Kokëkuqen” nga viti 2021 deri në 2024, aktualisht është pjesë e ekipit të Williams. Edhe pse spanjolli nuk po kalon një sezon të shkëlqyer, duke përfunduar 38 pikë prapa shokut të skuadrës Alex Albon, ai mbetet një opsion real për rikthim.
Ish-piloti dhe komentatori i Sky Sports, Johnny Herbert, ka pohuar se “pasardhësi i Hamiltonit është tashmë i njohur” dhe se rikthimi i Sainz në Maranello është më i mundshëm se kurrë.
Hamilton, ndërkohë, mbetet një prej pilotëve më të suksesshëm në historinë e Formula 1. I lindur në Stevenage, ai kaloi nëpër programin e talentëve të McLaren dhe fitoi titullin në serinë GP2 në vitin 2006.
Debutimi i tij në Formula 1 erdhi në vitin 2007 me McLaren, ku arriti vendin e dytë në klasifikim, ndërsa një vit më vonë, në 2008, fitoi titullin e parë botëror.
Në vitin 2013 ai kaloi te Mercedes, ku dominoi epokën hibride dhe u shpall kampion bote në shtatë raste: 2008, 2014, 2015, 2017, 2018, 2019 dhe 2020.
Ai mban shumicën e rekordeve historike në Formula 1, përfshirë numrin e fitoreve, pole position dhe podiumeve, duke u barazuar me Michael Schumacher për më shumë tituj në histori (7).
Ferrari tani gjendet përpara një dileme të madhe: të vazhdojë me Hamiltonin dhe të besojë në rikthimin e tij, apo të sjellë sërish Carlos Sainz për të nisur një kapitull të ri.