Insajderi
Hulumtime/Analiza

Raportimi i Insajderit | Bllokohet tenderi që pushteti i LDK-së në Obiliq ia bëri gati mbështetësit të kryetarit

Insajderi
21 August 2025 - 14:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Raportimi i Insajderit | Bllokohet tenderi që pushteti i LDK-së në Obiliq ia bëri gati mbështetësit të kryetarit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komuna e Obiliqit ka pezulluar tenderin mbi 6 milionësh për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore. Ky pezullim vjen pas raportimit të Insajderit se kontrata i është dhënë kompanisë “ALL ZONE” SH.P.K., ndonëse oferta e saj nuk ishte më e lira në garë. Në këtë procedurë ishin pjesëmarrëse edhe kompani të tjera, të cilat kishin ofertuar deri në 1 milion euro më pak se kompania fituese.

Lidhur me tenderin në OSHP ishin dorëzuar ankesa për kriteret e vendosura nga Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Gashi i LDK-së.

Ndërsa, sot në e-prokurim është dhënë njoftimi se tenderi është pezulluar. Aty thuhet se pezullimi vjen pas një ankesë për rishqyrtim.

Raportimi i Insajderit – Komuna e Obiliqit ia jep tenderin biznesmenit që mbështeti kandidatin e LDK-së për kryetar – 1 milion euro më shtrenjtë se ofertat tjera

Sipas dokumentit të publikuar në e-prokurim në kontratën për shtrirjen e rrjetës së ngrohjes qendrore oferta fituese ishte në vlerë prej 6,893,858.91 euro.

Nga surpriza me torte për ditëlindje e deri tek kontratat, Xhafer Gashi e shpërblen sërish me tender ‘dostin’ e tij

Në garë për këtë tender kishin ofertuar katër kompani.

Ndërsa një kompani tjetër kishte ofruar të realizonte të njëjtin projekt për se 5,865,211.19 euro, që është rreth 1 milion euro më pak.

Megjithatë, Komuna e Obiliqit ka zgjedhur të shpërblejë ofertën më të shtrenjtë.

Ankesa për diskriminim nga Komuna

Kur ishte hapur tenderi “Vazhdimi i shtrirjes së rrjetës së ngrohjes qëndrore“, ishin dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve.

Një kompani ishte ankuar se Komuna në njoftimin për kontratë ka vendosur kritere diskriminuese.

Aty thuhet se janë shkelur: Neni 7. Barazia në Trajtim/ Jo- Diskriminimi
Neni 60. Kriteret e dhënies
Neni 69. Aftësia teknike dhe/ose profesionale

Kush është kompania “All Zone”?

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, thuhet se “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe paraqitet si një kompani udhëheqëse në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë, Kosovë.

Pronar i kësaj firme deri më 2015, tash zyrtarisht veç drejtor i operacioneve në të, Valon Zymberi kishte përkrahur haptazi tashmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2021-ës.

Gazeta Insajderi në të kaluarën ka raportuar gjerësisht për Zymberin dhe kompaninë “All Zone”, të përfshirë në projekte milionëshe në Prishtinë.

Në vitin 2020, pa shpallje publike përmes platformës zyrtare të “e-prokurimit”, kompania “All Zone” përfitoi mbi 4 milionë euro përmes kontratës T-2 për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet.

Tenderi u realizua përmes bankës gjermane KfW, por në fund, pagesat kryesore u mbuluan nga ndërmarrja publike Termokos, e drejtuar nga zyrtarë të LDK-së. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, Termokosi planifikon të paguajë mbi 7.6 milionë euro për këtë projekt.

Zymberi, që dikur shfaqej hapur në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës, nuk është figurë e re për organet e drejtësisë.

Në vitin 2012, ai ishte dënuar për mashtrim të Policisë së Kosovës, pasi përmes kompanisë “Idal Solucion” kishte tentuar të shiste një kamion të modifikuar si autoblindë për trazira, me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërkohë që mjeti në fakt ishte një kamion transporti të mallrave, të transformuar në mënyrë të paligjshme.

Rasti u zbulua nga drejtues të lartë të Policisë, përfshirë Shpend Maxhunin dhe Fehmi Gjatën, të cilët e kapën kamionin në një servis në fshatin Mazgit. Pas zbulimit, Zymberi u dënua, por shtatë vite më pas u lirua pas rigjykimit – pa u dhënë ndonjë sqarim publik për këtë vendim.

Ai në gusht të këtij viti u bë sërish lajm pasi kishte lëshuar deklarata shqetësuese për përdorimin e substancave narkotike, shkruan Insajderi.

Valon Zymberi, biznesmeni i njohur nga Kosova dhe drejtor i kompanisë së fuqishme “All Zone”, ishte shfaqur në një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok me influencuesin shqiptar Kozak Braçi,

Gjatë këtij “live”, fillimisht Zymberit i dëgjohet vetëm zëri, por pas komenteve të ndjekësve që identifikuan biznesmenin kosovar, ai del hapur në kamera.

Në një moment, me krenari deklaron: “E përdori që 25 vite, krejt dhëmbët i kam të miat”, duke iu referuar përdorimit të drogës për një periudhë të gjatë kohore.

Në një tjetër pjesë të videos, ai dëgjohej duke i thënë Kozakut: “T’i kisha pru 10 gram mall, më të mirin”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me të qeshur se “me shumë qejf do ta pinte me të” dhe se “mbaron pas mallit”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark